Lajme

Salianji në gjykim, Basha kërcënon gjyqtarët me vetting publik nga PD

Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore për dosjen “Babale” që vendosi të marrë të pandehur për kallëzim të rremë ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat kryedemokrati Lulzim Basha.
Sipas Bashës, Prokuroria është pjesë e skemës mafioze të shtetit, prandaj coi në gjyq jo kriminelët, por denoncuesit e krimit.
“Prokuroria është pjesë e skemës mafioze të narkoshtetit. Prokuroria nuk ka guxuar as të thërrasë e të nisë hetimet, por Rama ka marrë në mbrojtje e ka promovuar zyrtarët e policisë. Sot prokurorët e çështjes dhe një gjyqtar peng i vettingut, çoi në gjyq jo kriminelët, por denoncuesit e krimit. Dënoj ashpërsisht këtë vendim”, shprehet Basha.
Lidhur me këtë vendim, Basha kërcënoi gjyqtarët se do u bëhet vetting publikisht nga PD.
“Ia bëj të qartë gjyqtarit dhe dy prokurorëve se nuk do ia hedhin vetingut me këtë akt që kanë ndërmarrë. Një për një vettingu do i bëhet publikisht nga PD. Kanë zotimin tim sot. I bëj thirrje çdo prokurori mos t’i bëjë llogaritë me kriminelët në ikje, por me drejtësinë e re. Shpreh vendosmërinë se ky objekt do të zbatohet deri në fund”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Gjykata e Tiranës vendosi sot të nisë procesin e gjykimit për dosjen “Babalja” dhe gjykatësi paraprak firmosi për kalimin e çështjes në gjyq.
Katër të pandehurit në seancën gjyqësore kërkuan pushimin e gjykimit, kërkesë e cila nëse do ishte pranuar, do konfirmonte faktin se prokuroria kishte dështuar me hetimet e saj.
Të pandehur janë ish-deputeti Ervin Salianji, Fredi Alizoti, Albert Veliu dhe gazetari Jetmir Olldashi për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Sot Salianji deklaroi se nuk intimidohet nga paditë ndaj tij dhe se do të ketë surpriza të tjera në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë