Opozita për të tretën herë do të protestojnë përpara Kryeministrisë. “Shqipëria ngrihet përpara Kryeministrisë” është motoja e kësaj proteste, e cila ndryshe nga herët e tjera do të nisë të sot pasdite, në ora 18:00.
Partia Demokratike po organizohet prej ditësh duke zhvilluar takime me strukturat e degëve me qëllimin për të mundësuar pjesëmarrjen e sa më shumë protestuesve. Ndërkaq po përflitet se meqë orari i tubimit është afër mbrëmjes, mund të protestohet deri të nesërmen të dielën, duke bërë që qëndrimi të jetë 24 orë në shesh.
Edhe pse nuk është përfundimtare, ky vendim mund të kondicionohet nga pjesëmarrja e protestuesve brenda radhëve të opozitës, si dhe nga kushtet atmosferike. Ndërsa vetë PD-ja në njoftimin e paraqitur në Polici thekson se protesta nuk ka ndonjë orar të përcaktuar. Një gjë e tillë konfirmohet për Gazeta SI nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se opozita do të jetë në shesh në një orar të papërcaktuar.
Rrethimi i Kryeministrisë nga protestuesit në pjesën e anës së Piramidës dhe në krahun tjetër e rrugës pranë hotel “Rogner”. Sot paradite organizatorët e protestës po vendosnin bokset për t’i në shtyllat e ndriçimit nga selia e qeverisë përgjatë rrugës me drejtim nga sheshi “Skënderbej”. Vendosja e këtyre bokseve paralajmëron se në protestën e sotme pritet të ketë dhe fjalime.
Sa i përket protestës së opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë televizive sfidoi kryeministrin Edi Rama që të tentonte të qëndronte në zyrën e tij gjatë kohës që njerëzit ishin në shesh.

Posteri i PD-së për protestën e 13 prillit
“Dita dhe nata janë të popullit opozitar. Do vendosë populli opozitar, por një gjë e di, që do jetë protesta më e madhe që ka parë Shqipëria deri sot. E ftoj krye Kreun e Meduzës të nderojë qoftë dhe një herë atë zyrë që rri në të”, deklaroi Berisha.
Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se do të jetë protesta më e madhe. “Kemi dëgjuar gjëra nga më të ndryshmet për orarin, e cila do të jetë në orën 18:00, por protesta është spostuar për në këtë orar pasi temperaturat kanë qenë të larta në të shkuarat. Nuk e kishim parashikuar se mund të binte edhe shi. Po të jetë për t’i bërë gjëmën Edi Ramës ia bën kur të duash. Ai ka frikë vetëm për kurrizin e tij. Shumë socialistë do të jenë pjesë e protestës së opozitës”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar në Facebook një apel ndaj qytetarëve ku i ftohen që të marrin pjesë masivisht në protestë. “Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në Tiranë! Për standarde të vërteta, për mirëqenie për çdo shqiptar, për shtëpine tonë, për fëmijët tanë, PËR SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA”, shkruan Basha në apelin e tij.
PD, LSI dhe partitë e tjera aleate kanë protestuar përpara Kryeministrisë më 16 shkurt dhe 16 mars. Protesta e parë ishte e dhunshme dhe kjo solli edhe alarmin e ndërkombëtarëve, të cilët kërkonin nga palët që të ruanin qetësi, të ndalnin aktet e dhunës, ndërsa policia të mos hidhte gaz lotsjellës.
1500 policë në terren
Edhe pse nuk ka ndonjë orar të përcaktuar, policia po merr masat për protestën e së shtunës. Mbi 1500 policë, punonjës të Gardës, por edhe të forcave speciale do të angazhohen për tubimin e së shtunës.
Policia ka rrethuar zonën me gardhe hekuri perimetrin përreth godinës së Kryeministrisë, si dhe pjesën anësore në krah të godinës së Piramidës. Kamerat e sigurisë janë pastruar sot paradite, si dhe derës kryesore të godinës qeveritare i janë vënë sërish pjesët mbrojtëse hermetike. Gjithashtu parashikohet që blindat e hedhjes së ujit të jenë pranë selisë që qeverisë për të qenë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se protesta do të zhvillohet e dhunshme. Ashtu si dhe në përgatitjet e tjera, policia ka lyer shtyllat e ndriçimit me graso, për të mos lejuar ngjitjen e protestuesve, si dhe kanë vendosur autoparlantët për t’i përdorur në rast konstatimit të ndonjë incidenti apo tentative për të ushtruar dhunë.

Apeli i Ambasadës amerikane
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë iu ka bërë thirrje qytetarëve të saj, që të shmangin në formë kategorike kalimet në vendin ku është parashikuar të mbahet protesta e opozitës.
Mes tjerash ambasada thekson se kohëzgjatja e demonstratës është e panjohur, ndërsa shton se një pjesë e qytetarëve shqiptarë protestojnë kundër qeverisë.
“Pikat e mundshme të grumbullimit të protestuesve në Tiranë janë: Godina e Kryeministrisë, Godina e Parlamentit, godina të tjera qeveritare. Një demonstratë pritet të zhvillohet pranë godinës së Kryeministrisë më 13 prill, 2019, duke nisur nga ora 6 e pasdites. Grupi synon të protestojë kundër qeverisë shqiptare. Kohëzgjatja e demonstratës së pritshme është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës gjatë protestave të fundit.
Personeli i Ambasadës amerikane dhe familjarët e tyre udhëzohen që të shmangin të gjitha pikat e mundshme të grumbullimit, ku zhvillohen apo pritet të zhvillohen demonstratat. Shmangni grumbullimet e mëdha dhe çdo zonë ku zhvillohen, apo mund të zhvillohen demonstrate. Tregoni kujdes për situatën përreth. Ndiqni informacionet e fundit të mediave vendase. Ruani profil të ulët”-thuhet në reagim.
Protesta e opozitës realizohet pas vizitës që zhvilloi në Tiranë, zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer. Ai pati takime me liderët kryesorë të politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama, kryetarët e PD-së dhe LSI-së, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Zyrtari i lartë DASH në qëndrimet e tij, përjashtoi publikisht se vizita kishte si mision për të realizuar ndonjë ndërmjetësim, apo për të paraqitur ndonjë paketë zgjidhjeje.
Madje ai në qëndrimet e tij gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët u shpreh i ashpër sa i përket linjës që po mban opozita. “Unë nuk jam këtu për të negociuar një zgjidhje, nuk jam këtu për të mbështetur një zgjidhje të caktuar. Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, mendoj se pjesëmarrja juaj në procesin demokratik është thelbësore, është diçka për të cilën partitë politike i detyrohen mbështetësve të tyre, i detyrohen votuesve të tyre, që të hyjnë në arenën politike, që të garojnë fort, të fitojnë zgjedhjet dhe të përdorin fitoren si një mjet për të përmbushur premtimet dhe vizionin e tyre për të ardhmen”, u shpreh Palmer, i cili kërkoi opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Protesta e sotme e opozitës shihet edhe si një matje force, pasi kryedemokrati Basha ka deklaruar prej ditës se sipas sondazheve ata janë shumica.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




