Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nga Gjykata ku është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj tij për “kallëzim të rremë”, për çështjen Babale është shprehur se procesi ndaj tij është “i montuar”. Salianji u shpreh i bindur se do të publikohen detaje të reja mbi këtë çështje, teksa theksoi se nuk intimidohet aspak nga akuzat që i bëhen përkundrejt tij.
“Më akuzojnë si organizator të këtij përgjimi. Unë jam në funksion publik shpresoj që të vijë një ditë që forca e ligjit të jetë aq sa forca e krimit. Është një proces i montuar, u kërkova prokurorëve që të marrin nën arrest për dëshmi të rremë Albert Nushin dhe Andon Markun. Të dy janë në përgjime, prokuroria nuk kishte as përgjigje për rastin, nuk më intimidojnë dot. Kam 39 procedime apo padi gjatë kohës së Rilindjes, por nuk më trembin që të realizoj misionin tim. Do kemi surpriza të tjera, çështja nuk është mbyllur”, u shpreh Salianji.
Më herët, në një postim në “Facebook”, Salianji thekson se është politikani që është kallëzuar e paditur më shumë nga ana e qeverisë, por shprehet i bindur se do të vijojë të denoncojë çdo herë që sheh korrupsion dhe krim të organizuar.
“Kam denoncuar dhe do vijoj të denoncoj çdo herë që do bindem që ka korrupsion, ka krim të organizuar, ka pushtet të inkriminuar. Asnjë intimidim apo presion nuk e ndal këtë mision për mua, jo me një farsë”, shkruan Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



