Presidenti Ilir Meta do t’i kërkojë informacion shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në lidhje me vendimin për dislokimin e ushtrisë pranë aeroportit të Rinasit.
Vendimi i shpallur dje nga ana e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka vënë në lëvizje kreun e shtetit, i cili njëherësh sipas Kushtetutës është komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Zëdhënësi Tedi Blushi bëri të ditur se “Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”. Ndërkaq vetëm pas këtij informacioni zyrtar që do t’i vihet në dispozicion mësohet se presidenti mund të mbajë një qëndrim publik në lidhje me këtë vendim të shpallur nga ana e ministres së Mbrojtjes.
“Në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, do të deklaronte dje ministrja Xhaçka.
Por një vendim i tillë është kontestuar nga ana e opozitës, e cila e konsideron si antikushtetuese aktin e dislokimit të forcave të ushtrisë në aeroportin e Rinasit.

Për grabitjen e ndodhur Presidenti doli gjithashtu dje në në konferencë për shtyp ku u shpreh se “nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë si President i Republikës për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me ju dhe opinionin publik. Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë të institucioneve të sigurisë. Si vend anëtar i NATO-s, kemi detyrimin të garantojmë standardet më të larta të sigurisë, veçanërisht atë të infrastrukturës strategjike portuale dhe aeroportuale”.
Xhaçka sqaron vendimin dhe Metën: Nuk jemi në luftë
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nga Rinasi sqaroi se vendimi për të vendosur Forcat e Ushtrisë në Rinas pas grabitjes, ka thënë se nuk ka nevojë për të marrë leje nga Parlamenti, pasi vendi nuk është në kohë lufte.
Ministrja theksoi se leja për vendosjen e Forcave Ushtarake nuk merret nga Presidenti. Ajo ka thënë se është cenuar siguria e një objekti të rëndësisë së veçantë dhe kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur. “Nuk behët fjalë për siguri brenda. Ne do të patrullojmë sigurinë e perimetrit të aeroportit. Baza jonë nuk është asnjë kilometër. Ne do të sigurojmë perimetrin e aeroportit, sepse nuk na takon neve ta bëjmë. Nuk është ndonjë precedent i padëgjuar më parë. Por një precedent i përsëritur. Jemi të detyruar të garantojmë sigurimin e perimetrit përmes policisë ushtarake. Nuk është nevoja të evokohet Kushtetuta apo ligje të ndryshme. Prioritet ynë është sigurimi i qytetarëve”, deklaroi ministrja për mediat.
Ministrja ka sulmuar dhe Lulzim Bashën duke thënë se nuk di të lexojë Kushtetutën dhe kjo është arsyeja sipas saj që ai e dogji opozitën si kalli.
Ajo më tej i ka kthyer dhe përgjigje Presidentit në lidhje me sqarimin që ka kërkuar nga shefi i shtabit të Përgjithshëm për vendimin mbi dislokimin e forcave ushtarake . “Nuk kam pse të informoj Presidentin se nuk do shkojmë në luftë”, theksoi Xhaçka.
Ndërsa për qëndrimet e opozitës, ministrja deklaroi se “Lulzim Bashës nuk mund t’i mësojmë si të lexojë Kushtetutën se po ta dinte si ta lexonte nuk do e kishte djegur opozitën si kallinj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




