Lajme

Ushtria dhe policia merr kontrollin për sigurinë në aeroport

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shpalli sot pasdite vendimin për futjen e forcave të armatosura në ruajtje të mjediseve të aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë.

Xhaçka ashtu si më herët ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, akuzoi kompaninë koncesionare kineze si përgjegjëse për situatën e ndodhur dje në aeroport. Xhaçka tha se futja e ushtrisë është një praktikë që e përdor e gjithë Europa.

“Në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura, – tha Xhaçka në një deklaratë për mediat. – Kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve”.

Ministrja e Mbrojtjes, theksoi se perimetri i aeroportit do të monitorohet edhe nga Policia Ushtarake, e cila do të ndërveprojë me Policinë e Shtetit për sigurinë në aeroport.

Duke u kthyer te përgjegjësia e grabitjes së ndodhur dje në mesditë, Xhaçka tha se mekanizmat e sigurisë së kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar plotësisht.

“Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shume e rende e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që  përgjegjësitë penale të jenë konkrete.

Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit”, – shtoi ministrja.

Drejtori i Policisë, Veliu: Komisariati Rinas merr në dorë sigurinë

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu në një konferencë për shtyp nga Rinasi u shpreh se sigurinë në aeroport do ta marrrë përsipër komisariati i Policisë së Rinasit.

“Shefi i komisariatit të policisë së Rinasit krahas detyrave funksionale që do të ketë për kontrollin e menaxhimit të kufirit merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkojnë qytetarët por edhe standardi i Aviacionit Civil”.

Kreu i strukturës së policisë u shpreh se në përfundim të hetimeve do të ketë edhe përgjegjës të asaj që ndodhi.

Sipas tij, në këtë rast nuk është gjetur bashkëpunimi me kompaninë përgjegjëse për sigurinë.

“Grupi hetimor është duke punuar intensivisht. Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur ta zbardhë këtë ngjarje. Jemi në rritje të parametrave të sigurisë. Në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas”, tha Veliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë