Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp nga selia blu komentoi grabitjen spektakolare të një dite më parë dhe akuzoi policinë se nuk po bën detyrat e saj. Kryedemokrati tha se policia hedh gaz lotsjellës në shtëpitë e shqiptarëve për t’i prishur ato, por grabitjet si ajo e djeshmja nuk i ndalon dot.
“Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë po trondisin sigurinë mes qyteteve tona. I vetmi aktivitet kundër krimit është: policia shkoi ne vendin e ngjarjes. Kur në Rinas që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitet avioni i linjës ndërkombëtare në mes të ditës, çdo kush e kupton fare mirë se në çfarë niveli është policia e në çfarë niveli është katandisur rendi dhe siguria. Kjo ndodh kur Shqipëria është bëere qendër e krimit ndërkombëtar, bazë operacionesh e rrjeteve kriminale ku jo vetëm nuk luftohet por po nxitet pastrimi i parave të krimit nga vetë qeveria me ndërtimet dhe projektet korruptive në ndërtim, inceneratorë, turizëm dhe PPP”, deklaroi Basha.
Më tej ai theksoi se arsyeja dhe shkaku kryesor i rënies së shtetit, i mungesës së sigurisë për jetën dhe pronën e qytetarëve është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime të ardhur në pushtet me ndihmën krimin.
“Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare. Prandaj protestojmë të shtunën me 13 prill në Tiranë. Rruga e vetme për këtë është bashkimi i të gjithë shqiptarëve në betejën kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit, për sigurinë, jetën dhe mirëqënien e çdo shqiptari”, deklaroi Basha.
Për ngjarjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit reagoi edhe sekretarit i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili theksoi se siguria në këtë aeroport është zero, roli i shtetit në garantimin e kësaj sigurie është sigurisht zero dhe reagimi i shtetit sërish zero.
“Qytetarët janë ndjerë dje, por vazhdojnë të përjetojnë të njëjtën gjë edhe sot dhe në vazhdimësi, pra ndihen gjithmonë e më të rrezikuar. Ndihen më të rrezikuar dhe pikërisht ku? Në atë pjesë dhe atë pikë të vendit, në atë pikë të territorit që është aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, ku parametrat e tij të sigurisë duhet të ishin absolutisht maksimale dhe të pa diskutueshme. Është porta e hyrjes në Shqipëri. Imazhi i Shqipërisë ka pësuar një goditje të pariparueshme. E gjithë media botërore, jo vetëm ka reflektuar me shumë shqetësim ngjarjen e djeshme, por ka demonstruar qartë edhe njëherë se kjo është një ngjarje shumë e rëndë sepse është shumë herë e përsëritur dhe ku në vend të reflektimit shteti shqiptar, tashmë i mbaruar dhe i kapur nga Rilindja shkon keq e më keq”, deklaroi Vasili.
Ai shtoi se vendimi i marrë nga kompania austriake “Austrian Airlines”, për të mos transportuar më ngarkesa me vlera monetare, është një vendim i paprecedentë.

“Sigurisht që një vendim i drejtë, por që ekspozon Shqipërinë si një vend me siguri zero. Të nderuar qytetarë, të gjithë ju e keni pritur që dikush të shkarkohej, dikush të pezullohej nga detyra, dikush të arrestohej në vend pse i ka munguar detyrës. Por ju sot nuk keni asnjë zyrtar të shtetit, i cili të ngarkohet me përgjegjësi nga ligji, që të jetë përpara drejtësisë dhe të ndalohet. Asnjë shkarkim, asnjë pezullim, asnjë arrestim nga përgjegjësit e kësaj pune. Ka përgjegjësi Policia e Shtetit, ka përgjegjësi Aviacioni Civil i Republikës, ka përgjegjësi shërbimet informative të vendit, kanë përgjegjësi të gjithë aktorët, të cilët kanë garancinë e sigurisë dhe kurrkush nuk përgjigjet”, theksoi Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




