Lajme

Grabitja në Rinas, personi i vrarë është Admir Murataj

Edhe pse nuk kanë dalë ende analizat e ADN-së, krahasimi i shenjave të gishtave dhe këqyrja fizike e bërë nga policia dhe grupet hetimore tregojnë se personi që mbeti i vrarë dje në aksionin e grabitjes në Aeroportin e Rinasit, ka karakteristika të ngjashme me ato të Admir Muratajt. Besohet se bëhet fjalë për rreth 10 milionë euro që do të transportoheshin drejt Vjenës. Admir Murataj ka qenë njeriu që në ikje e sipër ka bërë rezistencë me armë ndaj policisë, e cila i ishte vënë nga pas. Ai mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë ndjekjes.

Ndërkohë, mediat greke qe dje raportuan se personi i vrarë në aksionin e grabitjes së parave është Admir Murataj, person ky i njohur për autoritetet greke.
Sipas mediave greke, Murataj është arratisur nga burgu grek i Trikalas në vitin 2013, së bashku me 10 kriminelë të tjerë të rrezikshëm shqiptarë. Admir Murataj akuzohet gjithashtu për grabitjen e 850 mijë euro në maj të 2013-ës nga Banka Kombëtare e Larisës, dy muaj pasi u arratis nga burgu i Trikallas.
Admir Murataj që u vra dje ishte në kërkim prej më shumë se dy vitesh si organizator edhe i tri grabitjeve të tjera të blindave me para të bankave në Rinas, dy në 2015 dhe një në 2017. Ndërkohë që anëtarët e tjerë të grupit u arrestuan dhe u dënuan, Murataj arriti që jo vetëm t’i shpëtonte burgut, por edhe të organizonte grabitjen e radhës në Aeroportin e Rinasit. më të madhen që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, duke marrë 10 milionë euro.
Të martën e 9 prillit, grabitja që ndodhi në Aeroportin e Rinasit ishte ndër më të mëdhatë të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.
Ashtu si edhe para tri vitesh disa persona kanë arritur sërish të thyejnë rrethimin pa u diktuar nga forcat e sigurisë.
Duket se grupi ka pasur informacion të qartë mbi shumën që do të transportohej dhe orari. Brenda pak minutash u realizua grabitja dhe autorët kanë dalë sërish nga e njëjta derë ku dhe hynë. Dëshmitarët kanë treguar se gjithçka ka ndodhur shpejt dhe pa shkaktuar panik. Edhe një herë mbetet enigmë se si forcat e sigurisë nuk morën informacion për thyerjen e rrethimit, por janë sinjalizuar vetëm pasi agresorët janë larguar. Grabitësit janë përgjigjur me armë duke tentuar të largohen, por në betejë mbeti i vrarë një prej tyre. Si pasojë e ndjekjes autorët kanë braktisur mjetin. Pesë prej tyre dyshohet se kanë mundur të largohen me këmbë, teksa ishin të armatosur me kallashnikov edhe granata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë