Politike

Tensioni me policinë te Bregu i Lumit, Presidenca: Të nisin hetimet

Presidenca ka reaguar përmes zëdhënësit lidhur me situatën e tensionuar në Bulevardin e Ri, ku prej dy ditësh banorët që kundërshtojnë shembjen e banesave janë përplasur me policinë.

“Në lidhje me këtë situatë të krijuar, Presidenti Meta shprehet shumë i shqetësuar mbi sjelljen e autoriteteve publike për të ndërhyrë përtej çdo lloj logjike njerëzore, si dhe për përdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në banesa në mënyrën brutale dhe aspak profesionale. Përzgjedhja e kohës së ndërhyrjes për të nxjerrë qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe mënyra e veprimit, duket një logjikë jo shtetërore, por tinzare dhe nuk reflekton asnjë mbështetje ligjore. Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre është një akt i papranueshëm”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Ndër të tjera Meta kërkon nga autoritet të marrin përgjegjësitë si edhe të hetohet dhuna e ushtruar ndaj banorëve.

“Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit; Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë; Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës; Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur”.

Presidenti i bën thirrje autoriteteve publike, Bashkisë Tiranë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, IKMT, IMT të Bashkisë Tiranë, që: Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duhen domosdoshmërisht të mbrohen.

Presidenca, vlerëson se realizimi i këtij projekti urban të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, nuk duhet të pengohet dhe as të vonohet, por vënia në zbatim e tij, nuk duhet të shkatërrojë të ardhmen dhe jetën e shtresave më të pamundura të shoqërisë;

“Institucionet publike duhet të angazhohen për ta zgjidhur ligjërisht problemin dhe nëse një akt nënligjor që rregullon gjendjen nuk ekziston, ai mund të krijohet dhe të vihet në zbatim. Kjo është detyra primare e qeverisë, që brenda parashikimeve të ligjit dhe në respektim të parimeve, të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese, duhet të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe për interesin publik në tërësi”.

Zyra e shtypit të Presidentit nënvizon se “qeveria dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë vullnet për zgjidhjen e këtij konflikti. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre dhe nga konflikti që ka lindur rezulton se kërkesat e tyre nuk janë trajtuar në themel as nga Bashkia Tiranë dhe as nga Qeveria. Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre pasi janë aty prej mëse 20 vitesh dhe shteti edhe pse e njeh gjendjen prej vitesh, nuk mundet t’i trajtojë ata si zaptues, pasi çdokush meriton të drejtën për të pasur një strehë dhe për të rritur fëmijët e tij si gjithë të tjerët”, thuhet ndër të tjera në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë