Lajme

Balluku: Përparësi projektet për diversifikimin e energjisë së rinovueshme

Shqipëria po shikon me përparësi projektet për diversifikimin e energjisë së rinovueshme, jo vetëm të prodhuar nga uji, por të prodhuar edhe nga parqet eolike, apo parqet fotovoltaike. Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka theksuar se Gjermania një mbështetëse kryesore ndaj Qeverisë Shqiptare për çështjet energjetike dhe energjinë e rinovueshme. Deklaratat Balluku i bëri gjatë pjesëmarrjes në forumin e nivelit të lartë “Energy Transition Dialogue”, që është zhvilluar në Berlin të Gjermanisë, me pjesëmarrjen e ministrave dhe përfaqësuesve të shoqatave të energjisë nga 90 vende të botës.
“Berlin Energy Transition Dialogue” është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare përsa i përket energjisë, që zhvillohet çdo vit në Berlin. Këtë vit, temat kryesore që janë diskutuar ka qenë qëndrueshmëria e burimeve të rinovueshme si dhe siguria energjetike, çështje të cilat janë shumë të rëndësishme dhe për Shqipërinë. Ne jemi duke punuar për diversifikimin e energjisë së rinovueshme, jo vetëm të prodhuar nga uji, por të prodhuar edhe nga parqet eolike, apo parqet fotovoltaike”, është shprehur ministrja Balluku pas përfundimit të konferencës.
Konferenca është zhvilluar nën kujdesin e Qeverisë Federale Gjermane, përkatësisht të ministrit të Ekonomisë dhe Energjisë, Peter Altmaier dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Heiko Maas.
“Vëmendja e Qeverisë Federale Gjermane në çështjet e energjisë është një nga nxitësit kryesor të zhvillimeve në Europë, gjithashtu një mbështetëse kryesore ndaj Qeverisë Shqiptare për çështjet energjetike dhe energjinë e rinovueshme. Gjatë takimeve të sotme me kolegët e mi, të cilët vinin nga 90 vende të botës, kemi shkëmbyer shumë ide dhe mendime për zhvillimin energjetik në të ardhmen”, deklaroi Balluku.
Konferenca e nivelit të lartë ministror, “Energy Transition Dialogue” në vitet e fundit është shndërruar në një forum udhërrëfyes për zhvillimet në sektorin e energjisë. Në takimin e këtij viti fokusi i diskutimeve ishte tranzicioni i integruar drejt energjisë së rinovueshme, çka do të ketë një impakt të ndjeshëm në uljen e nivelit të shkarkimeve të CO2 në atmosferë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë