Lajme

Lleshaj: Do të goditet nga të gjitha anët krimi në Shkodër

Gjatë konferencës me ministrin e Brendshëm çek, Jan Hamacek, ministri Sandër Lleshaj u shpreh se do të marrin goditje grupet kriminale, strukturat e krimit që vijojnë të jenë ende aktive në qytetin e Shkodrës, të prekur së fundi nga një numër i lartë vrasjesh.
“Ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar edhe për perceptimin publik që nuk është në nivelin maksimal. Ne do ta adresojmë perceptimin publik. Do të marrim masa të forta për të thelluar luftën ndaj atyre grupeve kriminale që nuk janë vënë para drejtësisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Në Shkodër janë marrë masa të forta. Ne kemi qasje të integruara. Janë shumë agjenci që po punojnë në Shkodër. Do të bëhet një qasje e integruar që strukturat ende të mbijetuara të krimit në qarkun e Shkodrës të marrin një goditje nga të gjitha krahët, në mënyrë që ky fenomen dhe kjo pasiguri e krijuar për shkak të veprimtarisë së këtyre grupeve të marrë fund njëherë e mirë në Shkodër, Elbasan e gjetiu”, tha ndër të tjera ministri Lleshaj.
Po ashtu, ministri Lleshaj u ndal edhe te masat e marra në kufi nga shumë vende të rajonit për të ndaluar emigrantët nga Lindja e Mesme, të cilët ishin nxitur nga disa raportime në rrjete sociale për planet e një lëvizjeje organizative për të kaluar kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë. Por a ka kapacitet Shqipëria për të përballuar një valë të tillë?
“Sigurisht që menaxhimi i flukseve të emigrantëve shqetëson jo vetëm Shqipërinë e rajonin, por dhe Europën në tërësi. Është e vështirë për t’u kontrolluar qoftë dhe nga një vend i vetëm apo dhe kontinent i tërë. Viti 2015 ishte sfidë e madhe që tronditi shumëçka në Europë, pikërisht prej refugjatëve. Është e vërtetë që ka qarkulluar një raportim në rrjete sociale për planet e një lëvizjeje organizative. Ne kemi kapacitetet që kemi, dhe nuk mund të shtojmë kapacitete sa herë që aktivizohen valë të tilla refugjatësh. Do të marrim masat ashtu siç kemi marrë në të kaluarën për të pasur nën kontroll situatën”, tha ministri i Brendshëm, Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë