Lajme

Skema e përzgjedhjes së kandidatëve, PD me model britanik

Kur mbeten më pak se tre muaj nga zgjedhjet lokale, pjesëmarrja e Partisë Demokratike, opozitës kryesore të vendit, është e paqartë.

Por nga ana tjetër, duket se PD ka nisur nga puna për të vënë në zbatim modelin për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia sipas modelit konservator britanik.

Në deklaratën e PD thuhet se dy ekspertë britanikë janë në Tiranë, për të ndihmuar selinë blu në përzgjedhjen e kandidatëve, sipas modelit konservator britanik. Sipas PD seleksionimi i kandidatëve do të bëhet në tre faza:

1.Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve

2.Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.

3.Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia.

“Partia Demokratike është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia. Për këtë qëllim, janë prej dy ditësh në Tiranë Davis Jones, Kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës, – thuhet në një njoftim të PD. – Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale”.

Sipas selisë blu, modeli britanik që do të zbatohet i shërben Partisë Demokratike edhe si një Vetting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD në parlament dhe në pushtetin lokal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë