Politike

Kryemadhi: Jam penduar që votova Reformën në Drejtësi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka pranuar se është penduar se ka votuar 7 ligjet e reformës në drejtësi në Parlament në datën 30 mars të vitit 2017.

Ajo tha se opozita duhej të kishte reflektuar për propozimet e PD-së për votimin e 7 ligjeve. “A jam penduar? Unë po. Sepse problemet që ngriti PD-ja kanë dalë të vërteta sot, po të kishim reflektuar në propozimet e PD-së do të kishim një SPAK dhe Byronë të ngritur, – tha Kryemadhi në emisionin “Repotilix”. – Nuk do të ishim në kushtet që jemi sot, pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese. 7 ligjet vonuan të gjithë procesin. Ndërkombëtarët kanë harxhuar mbi 40 mln euro dhe kanë mashtruar veten e tyre. Teknikë, burokratë”, tha ajo.

Në qershor, Shqipëria pret hapjen e negociatave, por kryetarja e LSI-së, nuk është optimiste se do të ndodhë një gjë të tillë.

Ajo thotë se Shqipërisë do t’i shtohet edhe një kusht. “Ata nesër kur të hetojnë se paratë e tyre që janë vjedhur në Shqipëri, do të mbajnë përgjegjësi edhe fëmijët e shqiptarëve. Një gabim që bën një ambasador këtu, kostoja është e shqiptarëve. Sipas Ramës dhe Flekenshtain ne i kemi hapur negociatat. Hahn thotë prapë do e bëjmë rekomandimin, se është i detyruar, por do të shtojnë edhe ca kushte të tjera, azilkërkuesit. Hahn pas datës 23 maj nuk është më dhe cilat do të jenë raportet që do të ketë KE-ja? Ministri holandez i futi një kërbaç Shqipërisë”, – shtoi ajo.

Kryemadhi ka pohuar disa herë se nëse do të ishte Ilir Meta në krye të LSI-së, nuk do merrte vendimin për djegien e mandateve, por këtë herë ajo tregon nëse është konsultuar me bashkëshortin e saj: “Jo! Secili ka mendimin e tij. Ne kemi këndvështrimin tonë, ka qenë vendim grupi. Nuk jam konsultuar për djegien e mandateve. Ilir Meta është gjithmonë kundër djegies së mandateve dhe bojkoteve, është institucional, shtetar”.

Kryetarja e LSI-së lëshoi akuza të forta në drejtim të ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt, duke paralajmëruar se persona të tillë në Shqipëri nuk janë Zot.

“Ai (Bernard Borchardt) ka probleme këtu, se duhet të jetë shumë i kujdesshëm se po t’i bëhet Vettingu atij dhe ndonjë tjetri nuk dihet si del. Shqiptarët nuk janë qen dhe mace dhe të bëjë si të dojë ai, se këtu është buka dhe jeta e shqiptarëve, ai ikën dhe nuk e kthen më kokën pas. Duhet të kenë kujdes ambasadorët kur flasin për shqiptarët se nuk janë Zot këtu. Meta, Rama dhe Basha kanë tjetër gjuhën me ndërkombëtarët, ndërsa unë tjetër dhe do e çoj deri në fund. Nëse këta ambasadorët që po bëjnë xhiron e velinave të parlamentit, pasi futja e hundëve në punët e një shteti dhe ngatërrimi me segmente anti-shqiptare është shumë e rrezikshme”, deklaroi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë