Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të Institutit Mbretëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Chatham House”, ka mbajtur sot një ligjëratë për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun si dhe për perspektiven euroatlantike të Kosovës, në Londër, Britani e Madhe.
Thaçi ka thënë se ia vlen që të diskutohet për Kosovën këto ditë kur po kremtohet 70 vjetori i themelimit të NATO-s dhe 20 vjetori i ndërhyrjes së saj në Kosovë.
“Bota u bind se Sllobodan Millosheviçi dhe Serbia, nuk dëshironte as dialog, as marrëveshje, as paqe. Serbia vazhdoi fushatën e gjenocidit dhe dëboi gjysmën e popullatës së Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe jashtë kufijve të Kosovës. Forcat serbe kryen 400 masakra rreth e qark Kosovës dhe shkaktuan mbi 20.000 viktima të dhunës seksuale”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai është ndaluar gjatë edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij nuk është lehtë për armiqtë e dikurshëm të flasin me njëri-tjetrin, por, “komunikimi dhe dialogu janë mënyra e vetme për të ecur përpara, mënyra e vetme për të arritur paqe, përndryshe do të ngelim peng i së kaluarës dhe çmimin do ta paguajnë gjenerata e ardhshme”.
“Mbetem me shpresë dhe jam optimist se arsyeja do të mbizotërojë dhe se vendet tona do të arrijnë marrëveshje paqeje. Një marrëveshje kompromisi që do t’i sjellë benefite të dy vendeve. Një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila do të sjellë njohje të dyanshme të dy vendeve sovrane, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së të cilat nuk e njohin akoma, rrugëtim të sigurt drejt NATO-s dhe BE-së, dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, dhe Serbisë do t’i sigurojë perspektivën Evropiane”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se dialogu mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë dinamik dhe energjik dhe një gjë e tillë është e shëndetshme për procesin dhe për shoqëritë respective.
“Ka edhe skeptikë dhe kundërshtarë, dhe unë i kuptoj ata. Por, pyetja ime për të gjithë është – cila është alternativa e dialogut? Si e shohin ata ecjen përpara? Të vazhdohen armiqësitë dhe konflikti? Përgjigjja ime është JO, – ka thënë presidenti Thaçi. – Mbi të gjitha, marrëveshja është në interes të Kosovës, në interes të Serbisë, por edhe në interes të bashkësisë ndërkombëtare, në interes të BE-së dhe SHBA-së”, ka theksuar ai.
Duke shtuar se status kuo-ja dhe konflikti i ngrirë nuk mund të qëndrojnë, ai ka thënë se Kosova ishte dhe mbetet një partner konstruktiv në këtë proces.
“Marrëveshjet nuk mund të arrihen me veprime të njëanshme të asnjërës palë, apo me vendosjen e kushteve. Në Kosovë, mbi 70 për qind e qytetarëve e mbështesin dialogun dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do t’i mbyllë te gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet siç janë personat e pagjetur, refugjatët, trashëgimia kulturore dhe historike, bashkëpunimi ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe çështjet si edukimi, shëndetësia dhe të ngjashme”, ka shtuar presidenti.
Në fund të këtij bashkëbisedimi, Presidenti nënvizoi se “një gjë është e sigurt, se nuk do të ketë kufij të bazuar në vija etnike, dhe se Kosova do të mbetet një shtet dhe një shoqëri multietnike, duke ruajtur shpirtin e vlerave perëndimore dhe parimet e demokracive liberale të cilat i kemi ndërtuar së bashku”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




