Kryeministri Rama nga Kukësi në turin e takimeve “Bashkia që duam” u shpreh se qeveria do të vijojë punën për ndërtimin e aeroportit dhe stadiumit, të cilat sipas tij do të hapin shumë vende pune për qytetarët kuksianë. Kreu i qeverisë shtoi se shumë shpejt djemtë e Kukësit që punojnë e jetojnë në Londër do të mund të vijnë me më pak paund në vendlindje.
“Aeroporti këtu do të jetë një aeroport për fluturime Low Cost. Vendi është shumë strategjik, përmbledh një pellg shqiptarësh këtej dhe andej kufirit dhe i jep mundësi çunave të Londrës të vijnë me shumë pak paund këtu. Shumica do vijnë për punë e halle, ka edhe ca që do vijnë për protesta, por s’ka rëndësi. Punimet civile këtu do të përfundojnë brenda një viti. Jemi duke përfunduar edhe projektin e stadiumit. Sepse Kukësi e meriton një stadium. Investimi edhe aty do të kryhet siç jemi zotuar”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se tashmë është koha që Bashkinë ta marrin ata sepse do të bëjnë për Kukësin gjëra që duhet të ishin bërë me kohë.
“Besoj ka ardhur koha që Bashkinë të na e jepni ne, si detyrë për të bërë për Kukësin shumë gjëra që duhet të ishin bërë me kohë dhe për të dalë nga një situatë që duhen katër muaj për të marrë leje për spitalin. Qeveria vendos fonde për spitalin”, tha Rama ndërsa ndërsa shtoi se kandidatin për Bashkinë e zgjodhi mes kuksianëve, ndërsa iu drejtua Safet Gjicit, në këtë mënyrë duke e konfirmuar.
“Kandidatin nuk e solla unë, e gjetëm mes jush. Ja ku e keni. Po s’fituat kampionatin, të paktën fitoni Bashkinë. Nuk e sollëm ne e gjetëm mes jush”, tha ndër të tjera Rama.
Sa i përket bllokimit të rrugës nga mbështetësit e Partisë Demokratike, ai theksoi se Kukësi traditën e mikpritjes e ka shumë të fortë, por pyll pa derra s’ka.
“Traditën e mikpritjes e keni shumë të fortë, edhe pse disa dalin te rruga. E dimë që pyll pa derra s’ka”, u shpreh kreu i qeverisë.
Në fjalën e tij, kryeministri nuk la përmendur edhe taksën e “Rrugës së Kombit” ku tha se ishte një gabim, por që qeveria tanimë ka reflektuar.
“Ne ishim gabim për taksën e rrugës dhe ju kishit të drejtë. Ajo që ka rëndësi është se deri dje Kukësi dhe e gjithë Shqipëria kishin një qeveri, e cila gabonte shumë, mendonte pak dhe nuk reflektonte kurrë. Ndërsa ne jemi një qeveri që reflekton kur gabon. Ne nuk jemi të pagabueshëm. Ai nuk ishte një gabim i vogël sepse futi në siklet një komunitet të tërë. Jemi vazhdimisht këmbëngulës për të bërë më të mirën”, tha Rama.
Edi Rama thumboi opozitën, duke ironizuar daljen e tyre nga parlamenti dhe protestat cdo të enjte për t’u futur me dhunë në Parlament. Po ashtu tha sërish se PS mundi PD edhe kur Saliu kishte në dorë shtetin.
“Në 2013 fituam me Saliun. Ka ndonjë që thotë se Luli është më i fortë se Saliu. Si qenka kjo që Saliu me shtetin dhe policinë e mundëm pa pasur gjë në dorë, e nuk mundim dot Lulin tani që i kemi të gjitha. Monikës së shkretë ia vjedhin votat. Vjen dhe nga një shtresë më e varfër. I ka ngel vetëm të thotë Zot zbrit në tokë. Pasi nuk i përgjigjet zoti sheh filxhanin”, tha kreu i qeverisë.
Më herët, mbështetësit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike në Kukës e kanë pritur me protesta.
Kuksianët i kanë vënë traun kryeministrit Rama me parullën: Aeroporti është dhuratë për Kukësin, jo për koncesionarin.
Kreu i qeverisë për të shmangur përballjen me qytetarët kuksianë, të cilët kanë deklaruar se është i padëshiruar në Kukës dhe i kanë bllokuar rrugën në hyrje të qytetit, ka hyrë në aeroportin e sapodhënë me PPP nga ajri me helikopter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



