Lajme

Shefja e ONM-së: Opozita të mendojë për të mirën e vendit!

Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës ditën e sotme të mendojnë për të mirën e vendit. Gjatë vizitës dy ditore në Shqipëri, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian është takuar të enjten me kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që sot ka takuar përfaqësues të opozitës si dhe ka prezantuar krijimin e një qendre për shoqërinë civile.

Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të saj në Tiranë, Kavalera është takuar me ish-deputetë të opozitës, të cilëve u ka bërë thirrje të ulen në tryezën e bisedimeve me qeverinë për të mirën e vendit.

Drejtoresha e OMI-së takoi dy ish-deputetët e LSI Silva Caka dhe Klajda Gjosha bashkë me dy ish-deputetë në radhët e PD, Aldo Bumci dhe Oerd Bylykbashi.

Duke shpërndarë foto nga takimi i zyrtares së lartë me përfaqësuesit e opozitës, Delegacioni i Bashkimit Europian shkruan se: “Është koha që dy palët politike të bëhen bashkë për të mirën e vendit. Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera u takua me përfaqësues të opozitës për t’u njohur me qëndrimet e tyre për situatën politike në Shqipëri përpara përgatitjes së raportit të vitit 2019″.

Menjëherë pas deklaratës së saj ka reaguar edhe kreu i qeverisë Edi Rama i cili thotë se bashkohet me qëndrimin e BE dhe i bën thirrje edhe njëherë opozitës për të ulur në tryezë për reformën zgjedhore. Ai thotë se ata që janë larguar nga Kuvendi kanë ende vend në tryezën e reformës me status të barabartë.

“Plotësisht dakord me delegacionin e BE:Koha që palët të dialogojnë! Reforma Zgjedhore,vota e emigrantëve,votimi dhe numërimi elektronik, penalitetet e reja për shitblerjen e votës,duhet të na bëjnë bashkë. Kush iku nga Kuvendi,ka ende vend në tryezën e reformës me status të barabartë!”, shkruan Rama.

Mes një agjende të ngjeshur politike, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian mori pjesë ditën e sotme edhe në një aktivet kushtuar shoqërisë civile.

E shoqëruar nga Ambasadori i Bashkimit Europan në Tiranë, Luigi Soreca, ajo prezantoi krijimin e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, një projekt i financuar nga BE-ja, duke vënë theksin tek rëndësia e aktivizimit të shoqatave dhe sindikatave civile.

“Komisioi Europian e shikon si tepër të rëndësishme fuqizimin e shoqërisë civile dhe përfshirjen e saj në reformat në vend”, deklaroi Cavalera.

Sipas përfaqësuesës së lartë të KE-së është fundamentale që shoqëria civile të marrë pjesë në politikë bërjen në Shqipëri dhe të monitorojë nga afëe të gjitha vendimmarrjet publike.

“Shoqëria civile është një mjet që shërben për monitorimin e implementimit të politikave të Bashkimit Europian këtu në Shqipëri”, deklaroi Cavalera. “Reforma në drejtësi dhe Vettingu nuk do ishte i mundur pa shoqërinë civile. Sa më të fortë të jeni ju aq më të forta do jenë politikat për qytetarët”, u shpreh ajo.

Drejtuesja e ONM-së i bëri thirrje po ashtu qeverinë shqiptare të pranojë kontributet e shoqërisë civile dhe t’i hapë rrugën bisedimeve me përfaqësuesit e saj.

“Autoritetet shtetërore të hapin rrugë për dialog me të gjithë aktorët e rëndesishëm të shoqërisë civile. “Çdo herë që flasim për mundësitë shohim tek shoqëria cilive aktorë konstruktive dhe të besueshëm. Besueshmëria vjen bashkë me përgjegjësinë. Ne tre dekadat e fundit shoqëria civile ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim jo vetëm në Shqipëri por në mbarë rajonin. ” – u shpreh Calavera.

Udhëheqësit e BE-së dhe përfaqësuesit e tyre në Ballkanin Perëndimor theksojnë në mënyrë të përsëritur rëndësinë e rolit që qytetarëve në rajon, por sipas ekspertëve, mjetet e tyre për të fuqizuar lëvizjet e shoqërisë civile në rajon kanë rezultuar të pamjaftueshme.

Në një artikull të publikuar disa javë më parë “Europian Western Balkans” thotë se një pjesë e madhe e qytetarëve në rajon ndjehen të përjashtuar nga procesi i integrimit në BE. Sipas medias europiane, edhe takimet me dyer të mbyllura të nivelit të lartë mbeten të rezervuara vetëm për politikanët. Kjo kontribuon në përshtypjen se çështjet e BE-së nuk janë publike dhe se qytetarët nuk janë aktorë aktivë në këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë