Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari kërkoi në seancën e djeshme parlamentare mbajtjen e 1 minute heshtje në nderim të 4 viktimave të “2 Prillit” 1991. Kjo kërkesë që u pranua nga mazhoranca e majtë, solli reagimin e ashpër të PD-së, e cila e sulmoi veprimin e deputetes së PD-së, Rudina Hajdari që është vajza e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari.
Reagimi i PD-së, erdhi nëpërmjet Izmira Ulqinakut, e cila është mbesa e Nazmi Kryeziut, një prej martirëve të “2 Prillit”
“U ndjeva e tradhtuar sot, kur dëgjova se vrasësit e Dëshmorëve të 2 Prillit ishin ftuar t’i nderojnë ata me 1 minutë heshtje në Parlament! Një teatër mjeran që uron për paqen e shpirtrave të Dëshmorëve të Demokracisë nga Parlamenti i diktuar prej votës së blerë nga krimi i organizuar dhe bandat e pushtetit. Paqen e dëshmorëve të votës së lirë e prish ekzistenca Gramoz Ruçi, ekzistenca e partisë së Sigurimit të Shtetit e Byrosë Politike, që sërish sot ka shkelur mbi votën e lirë, e mbi gjakun e atyre shpirtrave që s’po i lini të prehen në paqe! Gramoz Ruçi dhe Edi Rama! Shpirtat e tyre do të paqtohen ditën kur ju të ndëshkoheni nga vota e lirë! Dhe ajo ditë po afron!”, do të shprehej Ulqinaku.
Por ky qëndrim do të shkaktonte edhe reagimin e fortë të deputetes Hajdari, e cila i kujton PD-së se përpara se të shprehin dashurinë për të djathtën duhet të kenë parasysh disa gjëra që ka bërë më parë vetë lidershipi i PD-së.
“Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike. Ata që bëjnë sikur e duan shumë të djathtën duhet të kenë parasysh se me Gramoz Ruçin dhe partinë e tij kanë 28 vjet që bëjnë politikë. Mos të harrojnë historinë se zotin Islami që ishte Kryetar i Kuvendit Komunist e kanë bërë pjesë të grupit parlamentar ndërsa me Lufter Xhuvelin kanë mbajtur koalicion. Drejtësi duhet të bëhet për Martirët e Demokracisë ashtu si edhe për dhjetëra raste të rënda në Shqipëri të cilat kanë mbetur si gjurma në akull si shkak i politikës 28-vjeçare..!”, replikon demokratja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




