Lajme

Shtyhet më 23 prill seanca për ish-prokuroren Gashi, shkak motra e saj

KPA ka shtyrë më 23 prill seancën gjyqësore për ish-prokuroren Rovena Gashi, për ankimin lidhur me shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Seanca është shtyrë, pasi nuk është pranuar zgjedhja e saj, për të pasur avokaten Ema Gashi, e motra e saj, si ndihmëse ligjore në këtë proces.

KPA e ftoi Gashin të zgjedhë një ndihmës tjetër ligjor nëse e sheh të arsyeshme.
Pasi Komisioni i Posaçëm i Apelimit i hoqi të drejtën të jetë përfaqësuese ligjore e motrës së saj, Rovena Gashit, ka reaguar avokatja Ema Gashi.

Sipas saj, Komisioni i Posaçëm i Apelimit i ka hequr një të drejtë procedurale që e njeh ligji.
“KPA kufizoi të drejtën e subjektit për ndihmës ligjor. Sipas ligjit, ndihmës i subjektit mund të jetë kushdo”, shprehet ajo.

Ish-drejtuesja e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, e shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, doli sot përpara trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më kërkesën për t’u rikthyer në detyrë.
Seanca para KPA-së u zhvillua me dyer të hapura, ndërsa ndihmëse në këtë proces ishte zgjedhur avokatja nga Durrësi, Ema Gashi, njëkohësisht motra e subjektit të rivlerësimit. Për këtë rast, vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ishte Theo Jacobs, që zëvendësonte Mia Rosing.
Më 25 korrik të vitit 2018, ish-drejtuesja u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Rovena Gashi, ish-drejtuesja e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe krahu i djathtë ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla më herët bojkotoi edhe seancën dëgjimore, ku me anë të një letre pretendonte se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte kryer shkelje ndaj saj dhe si dhe vendimi për të ishte marrë 8 muaj më parë.
Rovena Gashi e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2004. Ajo ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë. Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë