Lajme

Breshëri plumbash drejt servisit në Fier, zbulohen detaje të reja

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e mbrëmshme në Fier, ku disa persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt një servisi makinash dhe më pas u larguan me një makinë tip “BMW”, e cila më pas u gjet e djegur në periferi të qytetit.
Mësohet se automjeti i djegur është gjetur në një rrugë dytësore pranë kryqëzimit të shinave të trenit në Fier.
Rruga dytësore ku u gjet makina rezulton të jetë pa dalje, element ky që shton dyshimet se personat që qëlluan me armë mund të mos jenë nga Fieri.
Makina ‘BMW’ në targa false të një automjeti tjetër të tipit “RENO” dyshohet se mund të jetë e vjedhur në Elbasan.
Siç bëri me dije policia mbrëmjen e djeshme brenda makinës së djegur janë gjetur armë dhe krehër fishekësh.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ende nuk ka një pistë konkrete hetimi, pasi nuk dihet nëse objektiv ishte biznesi apo ndonjë person, që mund të ketë qenë duke kaluar aty në atë moment. Grupi hetimor pritet që të marrë dëshminë e pronarit të biznesit dhe të sekuestrojë pamjet e kamerave të sigurisë së tij, por edhe të tjerëve në atë zonë për të zbuluar autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë