Politike

Një grek në krye të Gjykatës së Strasburgut

Sesioni plenar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg zgjodhi në mbledhjen e tij të fundit Presidentin e ri të kësaj gjykate. Ai është gjyqtari grek Linos-Alexander Sicilianos.

Sicilianos prej vitesh është pjesë e trupës së gjyqtarëve në këtë gjykatë dhe me zgjedhjen si President do të pasojë në këtë pozicion, duke filluar nga data 5 maj e këtij viti, italianin Guido Raimondi.

Kjo është hera e parë në historinë 60-vjeçare të Gjykatës së Strasburgut që do të drejtohet nga një grek. Pozicioni është më shumë organizativ dhe honorifik sesa ekzekutiv, por në Athinë është përshëndetur deri nga Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos.

Sicilianos ka mbajtur pozicione të juristit në nivele të larta në organizatat europiane dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Komitetin e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e Diskriminimit Racor (CERD), apo Agjencinë për të Drejtat Themelore të Bashkimit Europian.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë mbi 47 mijë vendime në historinë e saj, ku origjina e konflikteve ka qenë nga 47 vende ratifikuese të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, konventë që mbrohet nga Strasburgu.

Aktualisht janë në shqyrtim rreth 60 mijë çështje të tjera , duke përfshirë të drejtat civile dhe politike, si dhe çështje kyçe si kriza ekonomike, terrorizmi, pavarësia e gjyqësorit, kriza e refugjatëve, konfliktet e armatosura në Europë, e deri tek pronësia.

Pikërisht me çështjet e pronësisë lidhet pjesa dërrmuese e padive të ngritur nga shtetas shqiptarë në këtë gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë