Maxhoranca ka mbledh parlamentin në seancën plenare duke mos e zhvilluar atë si zakonisht të enjteve. Ndërkohë, nga ana tjetër opozita është kundërpërgjigjur menjëherë me protestën e radhës, ashtu siç në fakt ka ndodhur edhe disa herë të tjera që prej muajit shkurt.
Protesta e sotme ka nisur me përplasje teksa dhjetëra prej protestuesve gjatë grumbullimit janë përplasur me forcat policore te Pedonalja.
Forcat e policisë kanë bllokuar hyrjen për këmbësorët te Pedonalja, duke lejuar vetëm kalimin e automjeteve të deputetëve dhe ministrave që i drejtohen Kuvendit për seancë. Forca të policisë së rendit, Shqiponja dhe disa efektivë të RENEA-s janë në gatishmëri, po ashtu edhe pranë disa institucioneve të tjera kyçe, duke i paraprirë ndonjë lëvizje të mundshme të opozitës.
Në protestën e kësaj të mërkure mungon kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është nisur për një vizitë në Berlin ku do të takohet me zyrtarë të CDU-së dhe Partive Popullore Europiane. Ndërsa kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u kthye nga Roma dhe iu bashkua protestës.
Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së sotme betohen tre deputetë të opozitës së re, Korab Litja dhe Halil Jakimi nga PD dhe Ambra Borova nga LSI Shkodër, e cila mungoi në seancën e kaluar. Kuvendi shkon në 101 deputetë.
Opozita ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme të lira dhe të ndershme.
Protesta e fundit e opozitës së bashkuar ishte më 28 mars dhe policia procedoi penalisht 28 persona, mes tyre dhe organizatorin, sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


















