Në orën 9:30, opozita ka thirrur protestën e 8 të saj, me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama. Qytetarët do të mblidhen para Kuvendit, në të njëjtën kohë kur zhvillohet seanca plenare, ndërsa këtë herë është parashikuar që peshën e saj ta ketë rinia, ndërsa do të demonstrohen edhe simbolika të ndryshme.
Po a do jenë me simpatizantët e tyre liderët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Me shumë mundësi, kryetari i opozitës Lulzim Basha do të mungojë. Ai është nisur për një vizitë në Berlin, ku do të takohet me zyrtarë të CDU-së dhe Partive Popullore Evropiane. Në qendër të takimeve është situata politike në Shqipëri dhe aksioni i opozitës për largimin e qeverisë Rama.

Nga ana tjetër, edhe kryetarja e LSI-së ndodhet në një vizitë jashtë. Monika Kryemadhi ka qenë në Romë pasditen e djeshme për të marrë pjesë në forumin “Dialoghi Mediterranei”.
Forumi që mbahet në ambientet e Senatit Italian, ka mbledhur aktorë kyç në strategjitë zhvilluese të rajonit dhe sektorëve të rëndësishëm si ai i energjisë, infrastrukturës e bujqësisë në rajonin e Mesdheut.
Gjatë zhvillimeve të forumit, kryetarja e LSI zhvilloi disa takime me personalitete të politikës italiane pjesëmarrëse në forum.
Nuk dihet nëse vizita e saj do të vijojë edhe sot në ditën e protestës, edhe pse Kryemadhi ka postuar një foto në profilin e saj në “Facebook”, ku lajmëron për tubimin e datës 3 prill, duke shkruar: “Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




