Politike

Tërhiqet PS, Gjiknuri: Në zgjedhje me kodin aktual, PD-në e presim 1 muaj

Partia Socialiste ka bërë një lëvizje prapa, duke deklaruar se në zgjedhjet e afërta të 30 qershorit do të shkohet me Kodin Zgjedhor aktual, duke përjashtuar mundësinë e ndryshimit e këtij ligji pa pasur edhe “bekimin” e kundërshtarit politik, Partisë Demokratike.
Qëndrimin e bëri publik deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, i cili de jure pritet të caktohet edhe si bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në një prononcim për median, Gjiknuri u shpreh se reforma zgjedhore do të jetë e vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Socialisti u shpreh se mazhoranca do të bëjnë amendim për t’i krijuar mundësi PD-së që përmes një vëzhguesi të propozojë ndryshime. Do të kenë edhe të drejtë vetoje.
“Të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE-ODIHR do të jenë të vlefshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe jo për zgjedhjet vendore pasi tashmë jemi në fazën e implementimit dhe organizimit të këtyre zgjedhjeve. Koha nuk premton që të ndryshohen rregullat e lojës tani. Ne do t’i krijojmë mundësi PD përmes një vëzhguesi special të atashuar pranë Komisionit që ka të drejta të plota si bashkëkryetari. PD nuk i humb të drejtat e saj qoftë për të propozuar ndryshime apo për të miratuar ndryshime që bëhen aty”, deklaroi Gjiknuri.

Ndërkaq PS-ja në vendimin që pritet të marrë në seancën parlamentare do të bëjë mundësinë që PD-ja të ketë vëzhguesin e saj në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
“Pavarësisht se janë jashtë Kuvendit kanë një dritare të hapur për të komunikuar me mazhorancën në mënyrë që të kalojmë një kod konsensusal. Në çdo kohë që PD vendos të ulet në tavolinë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, edhe sikur të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, kërkohen patjetër ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe PD e ka këtë hapësirë. Ne i bëjmë thirrje ta shfrytëzojë këtë mundësi që ta shtyjmë përpara këtë proces”, theksoi Gjiknuri.

Në projektvendimin e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pika 3 e vendimit parashikon që “pranë komisionit të caktohet, në cilësinë e vëzhguesit, përfaqësuesi i partisë më të madhe të opozitës, PD, sipas rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017, i cili gëzon të drejtat e plota sipas pikës VIII dhe ato të Pikës IX të këtij vendimi që i përkasin bashkëkryetarëve të komisionit”.

Edhe pse PD-ja është zyrtarisht jashtë Parlamentit, PS-ja po kërkon ta quajë si pjesë të këtij institucioni madje duke i dhënë atributet e ushtrimit të vetos për ndryshimet që mund të ndërmerren. Ndërsa është përcaktuar se afati i veprimtarisë së komisionit do të zgjatet deri në 5 maj 2019, një muaj përpara se mbahen zgjedhjet lokale.

Në këtë projektvendim është përcaktuar që Gjiknuri do të jetë bashkëkryetar i komisionit të posaçëm, ndërsa Blerina Gjylameti largohet nga ky post për të qenë anëtare e thjeshtë e kësaj strukture parlamentare.

Një ditë më parë mazhoranca kishte paralajmëruar se mund të realizonte ndryshimet e Kodit Zgjedhor me deputetët e opozitës së re, përfaqësues të PD-së dhe LSI-së, duke shmangur kështu lidershipin e këtyre partive politike. Por maxhoranca është tërhequr nga kjo ide, duke i zgjatur dorën PD-së, si dhe duke shmangur LSI-në, aleaten kryesore të demokratëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë