Komisioni Europian do të dalë në fund të muajit maj me gjetjet e vërejtura në terren sa i përket përparimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh optimist se në bazë të asaj që është parë deri më tani, kur të vijë koha e publikimit të progres-raportit për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë do të kërkohet hapja zyrtare e negociatave.
“Ne në Komision, në fund të majit do të prezantojmë progres-raportin për Ballkanin Perëndimor dhe do të përfshijmë edhe Turqinë. Pres në bazë të asaj që kemi parë deri më tani që do të dalim me një rekomandim për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë që duhet të hyjnë në fazën përgatitëse për negociatat e anëtarësimit dhe kjo duhet të bëhet zyrtare”, deklaroi Hahn.
Deklaratën, Komisioneri për Zgjerimin dhe Sigurinë e bëri gjatë diskutimit të fundit të Parlamentit Europian mbi temën e zgjerimit, para se ky institucion të shpërndahet për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja europarlamentare.
Në disa media e korridore politike e diplomatike, protestat e fundit që kanë përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë janë pagëzuar me emrin “Pranvera ballkanase”, si analogji me “Pranverën arabe”, që rrëzoi qeveritë nga Libia deri në Egjipt. Hahn e rrëzoi këtë analogji.
Komisioneri u pyet mbi këto zhvillime. Ai tha se motivet e protestave nuk janë të njëjta, as në Mal të Zi, as në Serbi dhe as në Shqipëri.
“Do të tregohesha i kujdesshëm që ta quaja Pranverë Ballkanike. Protestat në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi kanë motive dhe prapavijë të ndryshme. Janë pakënaqësi ndaj qeverisjes aktuale, por arsyet janë të ndryshme dhe nuk shoh asnjë të përbashkët mes tyre”, deklaroi Hahn.
Hahn kërkoi që Bashkimit Europian të mendojë për një periudhë afatgjatë. Nën ethet e zgjedhjeve për eurodeputetët ai kërkoi një strategji 10-vjeçare për zgjerimin, nuk foli për anëtarësime konkrete së shpejti dhe njohu disa hapa pas.
Por, në një panoramë më të përgjithshme, Hahn mendon se Ballkani Perëndimor ka bërë një progres të mirë. “Ka disa hapa pas, por përgjithësisht kemi përparim tek ekonomia dhe sundimi i ligjit”, u shpreh ai.
Komisioneri kujtoi se zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve me fqinjët është vendosur si parakusht për anëtarësimet e reja. Këtu u ndal tek ngërçi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ka një ngërç në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Unë shpresoj që ta tejkalojmë këtë. Një zgjidhje dhe një marrëveshje ligjërisht detyruese mes dy vendeve është një parakusht për anëtarësimin, por edhe për shumë projekte rajonale që kërkojnë një qartësim mes marrëdhënieve mes dy vendeve”, deklaroi Hahn.
Komisioneri i Zgjerimit pranoi se ka një dorë ruse, kineze, e po ashtu edhe turke në rajon, por shtoi se nuk ka nevojë për panik.
“Në thelb duhet të mos trembemi, nga pikëpamja ekonomike duhet të bëjmë detyrën tonë. Sot, 75 për qind e investimeve në Ballkan janë nga vendet e BE-së. Aty-këtu në disa vende me peshë, ose në disa zona me rëndësi në infrastrukturë duhet të jemi të vetëdijshëm se mund të luajmë një rol ende më të fortë”, tha Hahn.
Një pjesë e eurodeputetëve ndanë shqetësimin se më shumë sesa vendet kandidate, për zgjerimin nuk është gati Bashkimi Europian. Ata thanë se më parë duhet reformimi i unionit, duke nisur që nga Eurozona dhe më pas të mendohet për zgjerimin. Hahn e pranoi tërthorazi këtë konkluzion, por tha se problematikat e brendshme të BE-së nuk duhet të kushtëzojnë zgjerimin.
Hahn ripërsëriti se hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim. Deri atëherë do të duhen edhe disa vite të mira për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sinjalizoi ai, por me rëndësi është që Bashkimi Europian të përçojë në rajon një sinjal të fortë besueshmërie, e rrjedhimisht të mos humbasë terren në luftën për ndikim politik në Ballkan.
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon shprehu zhgënjimin e saj që Bashkimi Europian ende nuk ka liberalizuar vizat me Kosovën, edhe pasi Prishtina sipas saj, ka plotësuar kushtet. Plotësimin e kushteve e njohu edhe Komisioneri. Ai tha se Kosova ka përmbushur 94 nga 99 kriteret e vendosura dhe është gati për heqjen e vizave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





