Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili thotë se çlirimi i shtetit nga kapja dhe kriminalizimi përmes votës së lirë është kryekauzë e opozitës.
Ai e sheh këtë si problemin kryesor dhe thekson se asnjë reformë nuk mund të implementohet mbi një ngrehinë të tillë të kalbur shtetërore dhe asnjë iluzion qoftë ky edhe qëllimmirë nuk mund të ushqehet për këtë.
“Shteti për shkak të puçit politik të kapjes nga Rilindja është shpërbërë strukturalisht, juridikisht dhe moralisht. Kryekauza e opozitës është natyrshëm vetëm e vetëm një: çlirimi i shtetit nga kapja dhe kriminalizimi përmes votës së lirë. Ringritja e shtetit në të gjithë nivelet e tij dhe rivendosja e standardeve bazike të zhbëra të demokracisë vetëm e vetëm përmes votës së lirë, pa të cilat ky shtet s’mund të ekzistojë e funksionojë më asnjë çast është imperativa e madhe të cilës opozita i është përkushtuar tërësisht dhe pa kthim pas. Asnjë reformë nuk mund të implementohet mbi një ngrehinë të tille të kalbur shtetërore dhe asnjë iluzion, qoftë ky edhe qëllim mirë nuk mund të ushqehet për këtë. Themeli i gjithë ngrehinës shtetërore është Republika Parlamentare, e cila është rrënuar e kapur tërësisht nga blerja e votës prej krimit të organizuar”, deklaron Vasili.
Numri dy i LSI-së, shkruan se “kjo republikë dhe ky Parlament i kalbur, s’mund të pjellë veçse drejtësi të kapur dhe mundësi zero për një reformë në drejtësi të paanshme politikisht, por edhe për çdo reformë tjetër qoftë kjo ekonomike e shoqërore”.
Sipas tij, opozitës nuk iu dha mundësia nga mazhoranca as të ndihmojë në procesin e reformës në drejtësi, duke ia refuzuar nismat e paraqitura.
“Çdo sofizëm i kujtdo, që i largohet këtij realiteti tragjik për demokracinë është pa asnjë vlerë. Çdo sugjerim i llojit pseudo institucional, që opozita duhet gjoja të luftojë për reforma gjithfarësh, pa zgjidhur zemrën e problemit dhe nënën e të gjithë të këqijave, shitblerjen e votës, po të ishte thjesht një alibi për regjimin kriminal të rilindjes. Çdo sugjerim a këshillë jashtë demaskimit të korrupsionit që ka kapur çdo qelize të shtetit, demaskimit të kapjes dhe asgjësimin e Parlamentit, të kapjes së drejtësisë, të rilindjes së mbjelljes masive të drogës, të trafikantëve, krimit të organizuar dhe pastrimit të parasë që sundojnë anë e mbanë, do te ishte një sugjerim a këshillë naive në rastin më të mirë dhe e kapur edhe ai nga rilindja në rastin më të keq,ndonëse personalisht besoj shumë më shumë se është kjo e fundit”, shprehet Vasili.
Sipas tij, opozita është shumë e qartë në Kryekauzën e saj si edhe ne diskursin e objektivin e saj për të çliruar Shtetin nga kapja dhe kriminalizimi dhe për të ringritur shtetin e së drejtës dhe Republikën Parlamentare. Ky është edhe qëllimi i opozitës, e cila ndërmori dhe vendimin për djegien e mandateve të deputetëve.
“Kushdo, që do të evokonte të kundërtën e këtyre objektivave madhore të opozitës duke i paraqitur thjesht si objektiva partiake apo të një ndryshimi duarsh në pushtet, do të bënte thjesht një avokati të trashë e të akaparuar të qeverisë si dhe do të demonstronte një zbrazëti intelektuale të dhimbshme për atë vetë”, thekson Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




