Një këmbanë bronxi është vjedhur në fshatin Kashnjet, pjesë e njësisë administrative Ugrenj, në qytetin e Lezhës.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa sipas policisë vjedhja është realizuar gjatë orëve të natës. Këmbana ishte prej bronzi me peshë 370 kg.

Ajo iu dhurua Kishës së Shën Mëhillit nga Vatikani në vitin 1925 me mbishkrimin “Fisit Kreshnik të Kashnjetit” dhe ishte një relike fetare ndër më simboliket për trevën.
Autorët kanë pasur lehtësi në vjedhjen e këmbanës, pasi kisha ndodhet në një zonë të thellë malore e cila është shumë pak e banuar. Dyshohet se objeekti është vjedhur për t’u shitur për skrap.

Në polici janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje rreth ngjarjes dhe më pas janë lënë të lirë. Kisha u ndërtua në shek. e XVII. Në këtë kishë përqendrohet edhe drejtimi i klerit katolik për trevën.
Në kohën kur në fshat shërbente si misionar katolik dom Prend Suli, hapi dhe shkollën e parë në zonë, në vitin 1901 në Kashnjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



