Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar një tjetër fond prej 188 mln lekësh, për të përmbyllur tërësisht aksin Lin-Pogradec, për stabilizimin e rrëshqitjes në kilometrin e 21-të të rrugës.
Pas shtesës prej 194 mln lekësh në korrik të vitit të kaluar, kjo vlerë lekësh do të rrisë me 382 mln lekë koston në raport me kontratën fillestare.
Procedura prokuruese është bërë me negocim, pa shpallje paraprake, ndërkohë ARRSH bën me dije se shkak për këtë procedurë prokuruese është bërë situata emergjente.
“Masat mbrojtëse dhe punimet për stabilizimin e kësaj rrëshqitje duhet të bëhen në kohe të thatë dhe shumë shpejt, duke shfrytëzuar stinën e pranverës, pasi ne të kundërt mund te kemi avancime të mëtejshme të rrëshqitjes”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Vlera totale e kontratës fillestare ishte rreth 972 milion lekë, ndërkohë që me 2 shtesat, tashmë kostot e saj ka arritur në 1.35 mld lekë. Në përfundim të punimeve, gjerësia e korsive në këtë aks do të jetë 3.5 m, gjerësia e bankinës 1 m, ndërsa trotuari jashtë tunelit me një gjerësi 2 m.
Punimet në këtë aks rrugor kanë nisur në shkurt të vitit 2016 dhe sipas afateve të kontratës, duhet të përfundonin në dhjetor të vitit 2018. Ndërkaq, kontrata e re që do të nënshkruhet ka një afat zbatimi prej 2.5 muajsh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



