Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndërsa ka prezantuar prefektin e ri, Valdrin Pjetri, në Shkodër, ka folur edhe për situatën e sigurisë, pas ekzekutimit të fundit që ndodhi paraditen e së shtunës.
Ministri Lleshaj tha se Shkodra ka marrë goditje të forta nga krimi dhe shtoi që do të ketë angazhim më të madh për t’u dhënë qytetarëve siguri maksimale.
“Qyteti i Shkodrës është sfiduar disa herë nga krimi. Siguria dhe rendi kanë marrë goditje të forta nga krimi në Shkodër. Ne jemi këtu me angazhimin më të madh për të dhënë sigurinë maksimale qytetarëve”, deklaroi Lleshaj.
Po ashtu, ministri i Brendshëm u ka bërë thirrje qytetarëve për të bashkëpunuar me forcat e rendit.
“Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë për të goditur krimin e organizuar”, tha Lleshaj.
Por kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi e ka kundërshtuar ministrin Lleshaj. “Nuk duhet të mjaftohemi me thënien se kjo apo ajo vrasje është larje hesapesh, siç bëtë ju një ditë më parë. Këtu duhet ndërhyrja e shtetit për të përmirësuar situatën në Shkodër. Asgjë nuk është si më parë në këtë qytet”, tha Ademi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



