Politike

Basha në Durrës: Rama, hajduti më i madh në historinë e vendit

Një ditë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Durrës, ku ka ironizuar dhe sulmuar opozitën, sot në qytetin bregdetar ka zbarkuar Lulzim Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, në një mini-miting me simpatizantë të këtij qarku, ka sulmuar kryeministrin dhe ministrat e tij, duke e cilësuar qeverinë si të kriminalizuar dhe korruptuar. Ai e konsideroi Ramën si të sëmurë psikik, duke shtuar se largimi i tij është emergjencë kombëtare.

“Rama është një i sëmurë psikik. 100 mijë euro në orë është fatura e çdo shqiptari, 100 mijë euro paguan populli për estradën e shpifur të Edi Ramës. A ia vlen ky çmim, shkatërrimi i vendeve të punës, i shëndetësisë, i shkollave?, – tha Basha. –  A e meriton Durrësi estradën e Edi Ramës? Nuk ka mjerim më të madh sesa të derdhësh qumështin, sepse shitet më lirë se uji? Rama me bandat e hajdutëve ka si qëllim të falimentojë fermerët për të mbushur xhepat e oligarkëve. Largimi i Ramës është emergjencë kombëtare”, shtoi ai.

Deklaratat e një dite më parë të Ramës, kryedemokrati i cilësoi si një shfaqje. “Kllouni që erdhi dje këtu te ju, nuk ishte klloun, ai është hajduti më i madh në historinë e Shqipërisë që fshihet pas shakave bajate, – vijoi Basha. – Vetëm sipas të dhënave zyrtare, në 2 vite Edi Rama ka kullufitur 2 mld euro nga taksat e shqiptarëve. Sa herë del para jush dhe ngërdheshet si majmun, sa herë që del para jush, ka një hall të madh, jo vetem të fshehë vjedhjen, por atë që bota e konsideron si hajdutin e Ballkanit”.

Gjatë fjalës së tij këtë pasdite, Basha u shpreh se shqiptarët janë ngritur për të mos u ulur më derisa në Shqipëri, të kemi një demokraci të vërtetë.

“Anembanë Shqipërisë po fryn era e shpresës për një ndryshim të madh për çdo familje shqiptare, të Durrësit e Tiranës, Korçës e Gjirokastrës, nga Tropoja në Sarandë shqiptarët janë zgjuar, janë ngritur për të mos u ulur deri sa në Shqipëri të kemi një demokraci të vërtetë, – deklaroi kreu i opozitës. – Sa herë që një regjimi i vjen fundi, sa herë që autokratëve të korruptuar u vjen fundi, përsërisin të njëjtën shfaqje të shëmtuar. Shfaqjen e shëmtuar këtu në Durrës përsëriti edhe njëri që për 6 vite është përgjegjës për emigracionin, ky hajduti u kap duke vjedhur votën e shqiptarëve”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë