Lajme

Grabitja e parave në Tiranë, arrestohen 3 bashkëpunëtorët

Zbardhet ngjarja e ndodhur paraditen e djeshme në Tiranë, ku pronari i një pike këmbimi valutor u grabit dhe plagos me levë dhe thikë.

Krahas të arrestuarit në kushtet e flagrancës, janë vënë në pranga edhe tre persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të vjedhjes me dhunë të ndodhur në rrugën e “Barikadave”, ku pronarit të një exchange në Tiranë, Agron Shima, i morën një sasi lekësh prej 60 mijë dollarësh.

Gjithashtu është zbardhur dhe një tjetër vjedhje me dhunë ku të dyshuarit, rezultojnë të jenë autorë.

Kështu, përveç shtetasit E. F., 35 vjeç të kapur dhe të arrestuar që në momentin e vjedhjes falë ndërhyrjes në kohë të patrullës së Policisë Rrugore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Valuta”, u arrestuan dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë.

Ata janë E. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”, B. H., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Xh. D., 23 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”.

Të ndaluarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin paraditen e djeshme në rrugën e “Barrikadave” i kanë vjedhur me dhunë shtetasit A. Sh., një shumë lekësh të cilën ky shtetas e posedonte, mendohet rreth 60 mijë dollarë.

Policia thotë se të ndaluarit janë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 7 janar 2019, në rrugën “Mine Peza”, ku dy persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur me dhunë çantën shtetasit B. Sh., roje pranë një pike këmbimi valutor.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe sendet e përdorura nga këta shtetas gjatë vjedhjeve: Motorr skuter; kokore; tub metalik; thikë dhe doreza plastike; doreza dhe veshje të përdorura nga autorët; tre aparate celular dhe automjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë