Pas ekzekutimit të dy vëllezërve nga Shkodra paraditen e sotme ka reaguar kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, Ademi shprehet se së pari duhet të tmerrohet kryeministri, jo vetëm qytetarët e Shkodrës.
“Sot është e shtunë dhe jemi zgjuar me një ngjarje shumë të rëndë. Kjo është shqetësuese. Mendoj se kjo duhet të tmerrojë së pari kryeministrin dhe pastaj zv.kryeministrin dhe gjithë qeverinë. Por mesa duket ka tmerruar vetëm qytetarët e Shkodrës”, shprehet kryetarja e bashkisë.
Ajo bën apel që shteti të marrë situatën në dorë dhe që Shkodra të mos lihet në mëshirën e larjes së hesapeve.
"Qytetarët e Shkodrës kërkojnë nga shteti që ta marrë situatën në dorë dhe ta çojë deri në fund . Shkodra është lënë në mëshirën e larjes së hesapeve dhe të krimit”, deklaroi Voltana Ademi.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-deputeti Flamur Noka. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ish-deputeti i PD-së shprehet derisa sundon “Rilindja”, sundon edhe krimi dhe terrori.
“Shkodra sot u zgjua nën pushtetin e krimit. Terrori dhe krimi në atë qytet sundon po aq kohë sa sundon dhe “Rilindja”. Policia e Lleshit është kthyer thjesht në institut statistikash që vetëm numëron të vrarët. Shkodra dhe gjithë Shqipëria ka kohë që po digjet e Edi Rama nga Ertv-të e tij çdo dite veç del e krihet. Shqiptarët si kurrë ndonjëherë të ngërthyer nga pushteti i varfërisë, ‘Iluzionisti psiqik’ në krye të pushtetit ju tregon se jetojnë në parajsën 3D të projektuar në imagjinatën e psikikës së tij”, shkruan Noka.
Duke ironizuar policinë e Lleshajt, ai i kujton Ramës të thotë se çfarë po bëhet me “4 klanet kriminale që Ambasadori i SHBA citoi me zë dhe me figurë”.
“Iluzionisti psiqik 3D duhet t’ju thotë shqiptarëve sot se ku janë 4 klanet kriminale që Ambasadori i SHBA citoi me zë dhe me figurë?? Çfarë po bëhet me ata nga shteti i Lleshit e policia e Lleshit?? Ku janë 40 familjet kriminale që po Ambasadori i SHBA artikuloi se duhet të ishin objekt i punës së shtetit të Lleshit e policisë së Leshit??”, vijon ish-deputeti.
Në fund, ai u bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen për largimin e kryeministrit Rama që sipas tij, është e vetmja mënyrë për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“E keqja që i rëndon Shqipërisë e ka një emër dhe quhet Edi Rama… Rama ik.. Duhet larguar ‘me çdo kusht e me çdo çmim ai dhe sekti kriminal i Rilindjes që Shqipëria të mund të marrë fryme lirisht. Rama ik… Sot është koha që shqiptarët duhet t’i dalin zot vetes dhe vendit të tyre… Rama ik… Sot shqiptarët duhet të ngrihen e të mbrojnë veten ardhmërinë e fëmijëve të tyre”, shkruan ish-deputeti Noka.
Mëngjesin e së shtunës, 30 mars 2019, në banesën e tyre u ekzekutuan me armë zjarri dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, përkatësisht 59 dhe 61 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.