Lajme

Grupi Bajraj – Tronditet Shkodra, vriten dy vëllezërit Bilali

Dy persona janë vrarë me armë zjarri mëngjesin e së shtunës në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Zooteknike”, në lagjen Kiras.
Nga raportimet e para mësohet se viktimat janë Astrit dhe Ibrahim Bilali. Ndaj tyre mësohet se janë zbrazur më shumë se 10 plumba, ndërsa grupi i ekspertizës në vendin e ngjarjes pritet të saktësojë se me çfarë arme janë qëlluar dy vëllezërit.
Autorët kanë studiuar shumë mirë lëvizjet, dhe kanë pritur që dy vëllezërit të dalin nga banesa. Aty i kanë qëlluar me armë duke i lënë të vdekur në vend.
Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, i arrestuar si pjesë e grupit Bajri. Asmer Bilali ra në qendër të mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë Arjan Ferracaku teksa kalëronte. Resorti i kuajve është në pronësi të babait të Asmerit, Astritit, i cili mbeti i vrarë në një atentat sot.
Ferracaku dhe Asmer Bilali ishin të afërt dhe dilnin shpesh për hipizëm, pasi ishin të apasionuar pas kuajve. Asmer Bilali ishte i pranishëm në momentin e ekzekutimit të biznesmenit Ferracaku me breshëri plumbash.
Ai është ish-kampion boksi, emër i njohur i sportit në Shkodër. Në vitin 2012 ai ishte boksieri i vetëm nga katër shqiptarët që arriti të kualifikohej në turneun kualifikues të Lojërave Olimpike “Londër 2012”.

29-vjeçari është person me precedentë të mëparshëm, pasi cilësohej si i dyshuari kryesor për plagosjen e 20-vjeçarit Hermes Beqiri në një nga lokalet e Shkodrës, ngjarje e ndodhur në vitin 2017.

Brahim Balili ishte kryetar i Shoqatës 2 prilli në Shkodër. Ai ishte një person aktiv në pjesën mediatike, për shkak të reagimeve të shumta që shoqata e drejtuar prej tij kishte në lidhje me situata politike, dhe jo vetëm.

Mësohet se pas ngjarjes është gjetur dhe një automjet i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e ekzekutimit.
Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërsa pritet të zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë.

Foto nga vendi i ngjarjes

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë