Lajme

Protesta e opozitës, shoqërohen në polici 23 persona

Rreth 23 persona janë shoqëruar në polici pas protestës së ditës së sotme, përpara Parlamentit. Të gjithë të ndaluarit ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa disa të tjerë kanë shkuar për të protestuar në kundërshtim të vendimit për shoqërimin e tyre.

Protesta e kësaj të enjteje shënoi disa përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Edhe në këtë protestë nuk është përdorur gazi lotsjellës, ndërsa paralelisht me të Parlamenti zhvilloi seancën plenare. Protesta e radhës është paralajmëruar në datën 13 prill.

Disa ish-deputetë të opozitës kanë shkuar përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës në mbështetje të qytetarëve të cilët kërkojnë lirimin e famljarëve të tyre të cilët u shoqëruan sot pas protestës së sotme të opozitës.

Mësohet se në mbështetje të tyre kanë shkuar ish-deputetët demokratë Klevis Balliu, Agron Shehaj dhe Bardh Spahia.

“Vazhdojnë sot e kësaj dite, në vitin 2019, arrestimet politike nga kjo pseudo qeveri, nga kjo bandë kriminale e drejtuar nga kryebanditi Edi Rama, me tendencën për të frikësuar qytetarët e lirë që protestojnë kundra vjedhjes së hapur të votës së tyre të lirë dhe kundra masakrimit që i bëhet që 6 vite Shqipërisë. Të gjithë qytetarët e arrestuar sot, janë arrestuar me motive qesharake, pa asnjë bazë në shkelje të të gjitha procedurave të këtyre rasteve. Këto metoda diktatoriale nuk bëjnë asgjë më shumë, përveç se ndezin revoltën e qytetarëve të ndershëm të Shqipërisë. Janë aktualisht 7 të arrestuar, ka dhe disa të tjerë në kërkim”, – thotë ish-deputeti i PD, Bardh Spahia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë