Nuk ndalet dhuna ndaj bluzave të bardha. Një mjek është goditur me grushte në spitalin e Dibrës, teksa policia ka vënë në pranga një prej autorëve të ngjarjes, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij.
Sipas burimeve policore bëhet me dije se u arrestua në flagrancë A.L, 43 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij shtetasi V.L, banues në Dibër.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin në ambjentet e Spitalit Rajonal Dibër, ata kanë goditur me grushte mjekun Agron Mezexhiu, 70 vjeç nga Tirana me shërbim në Dibër.
V.L., kishte shkuar për të mjekuar një plagë. Mjeku pasi i ka qepur plagën dhe e ka mjekuar, pacienti i ka kërkuar raport mjekësor, por mjeku ka refuzuar duke i thënë se nuk e shikon të arsyeshme.
Materialet u referuan pranë Prokurorisë Dibër për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Prej fillimit të vitit në të gjithë vendin janë shënuar disa raste të dhunës ndaj mjekëve, çka i ka ngritur disa herë bluzat e bardha në protestë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar forcim të masave ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



