Kryeministri Edi Rama e mori fjalën e tij në Parlament, pasi protesta e opozitës u shua, ku kundërshtari i tij politik, Lulzim Basha bëri shpërndarjen e protestuesve nga selia e PD-së.
Një skenar që mbase kishte për qëllim që të mos irritonte protestuesit. Por pavarësisht kësaj, kryeministri nuk ka ngurruar që të ashpërsojë gjuhën në Parlament ndaj protestuesve, duke i cilësuar si endacakë dhe barbarë. Me një gjuhë tejet të ashpër, Rama dënoi aktin e lyerjes me bojë ndaj ministrisë së Brendshme nga një protestues.
“Ata që sot për turpin e tyre hodhën bojë të zezë në muret e Ministrisë së Brendshme për ta eksportuar, pasi nuk mund të eksportojnë imazhet e një tufe punonjësish të bashkive të Shkodrës, Vorës dhe bashkë me Dashon e Lazaratit që mbillen këtu dhe këndojnë himnin. Boja mbi muret e ministrisë sot është një produkt që do të thithet nga tregu ndërkombëtar i medias, që nuk janë të paktë eurokadrinjtë, që ngjajnë me kadrinjtë lokalë që kemi ne. Ata janë të pafajshëm, pasi pak ose aspak dinë dhe duhet të ushqejnë me lajme sensacionale. Kujtojnë se të hedhësh gurë mbi policinë në emër të partisë që të ka nxjerrë në rrugë është trimëri. “Lironi djemtë tanë” bërtet partia e endacakëve që vjen vërdallë. Ata do të shkojnë duke u rrudhur dhe ne do të bëjmë detyrën. Barbarëve edhe këtu në Parlament, përgjithmonë nuk mund të ketë deputeti imunitet për të goditur deputetin, apo të sulmojë fizikisht foltoren. Edhe kjo do të përfshihet në kodin penal”, deklaroi kryeministri nga foltorja e Parlamentit.
Por nuk mjaftoi me kaq me etiketimet e protestuesve edhe si endacakë. “Eksplozivi nëse nuk do të ishe një nga mjetet e shfrimit demokratik të PD-së të kthyer në grup endacak, që kërkon pushtetin, por nuk di sesi merret ndryshe, veçse me zgjedhje dhe duke mos e ditur këtë është fshehur në mes të ‘popullit’ duke kërkuar njerëz të dëshpëruar dhe të verbër, të rinj rrugëhumbur, që vendosin kapuçin e xhupit në kokë dhe mësyjnë drejt policisë të inkurajuara nga muzika e filmit Skënderbeu dhe huri i flamurit të Kukësit, e kam fjalën për të vetmin Flamur për të cilin Kukësi nuk është krenar (për Flamur Nokën)”, theksoi Rama.
Ndërkaq kryeministri bëri të qartë se ne nuk do të ketë asnjë negociatë me PD-në që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Ata janë të dëshpëruar, e dinë që nuk fitojnë dot me votë. Ata të rrinë në rrugë aty ku janë, rrugën kanë zgjedhur në rrugë të rrinë, ndërsa ne të vazhdojmë në rrugën që kemi marrë përsipër të udhëheqim shqiptarët. Është pjesë e detyrës tonë, jo të shkelim mbi kontratën e shqiptarëve për të joshur ata që të lënë rrugën, por hir të rrugës që kemi zgjedhur ti japim mundësinë të ndihen të përfshirë. Nuk kemi ngut ne të kalojmë reformën zgjedhore akoma, patjetër që zonjat e zotërinjtë që janë këtej (opozita e re) nuk i kemi sjellë ne, por lista e firmosur nga artisti Lulzm Basha dhe doktoresha. Në komisionin zgjedhor do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata, jo këtu (ne Kuvend), por një derë në tryezë. Jemi gati që atyre (PD-LSI), sidoqoftë, meqë kanë vulat e partive, t’u njohim të drejtës e vulës dhe vetos po të duan por nuk do të presim gjatë, pasi do e miratojmë para qershorit. Ata nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke bërë këtë mund të pengojnë negociatat. Mund të ndikojnë, por duke menduar se do e kenë më kollaj të marrin pushtetin është dëshpërim. E mira e tyre është të hyjnë në zgjedhje. Zgjedhjet do të bëhen”, theksoi Rama.
Braçe: Basha nga Rusia i ka bërë paratë e veta
Zv.kryeministri, Erion Braçe ka reaguar pas protestës së opozitës, të zhvilluar ditën e sotme. Në një postim në Facebook, në formën e disa vargjeve ironikë, Braçe bën thirrje për shmangie të dhunës, duke theksuar se nuk të shpie asgjëkundi, ndërsa shton se “S(B)ASHA nga Rusia i ka bërë paratë e tija”.
“PËRSE OR MIK, PËRSE?! S(B)ASHA NGA RUSIA I KA BERE PARATE E TIJA!! Përse nuk mendon, flet, debaton, bind dhe fiton? S’e eben dot?! Përse shkon te dhuna; ç’e gjeti godinën se e njollose me të zezën e Partisë, ti? Po Partia a u zbardh se i more ti për atë mur të zezën? Jo or mik, jo! Jemi në shekull tjetër, në atë të të menduarit, arsyes, debatit, bindjes! Me dhunë nuk arrin asgjë! Me dhunë kundër pronës publike, të përbashkëtës, thjesht paguan ti nga tatimet e taksat, por edhe të tjerë që nuk të kanë asnjë borxh ty, fare! A e di çfarë arrite? Bëre të qeshe si përherë Lulzim Bashën, ja kaq, por kjo është e zakonshme, ai qesh dhe në varrim! A e di çfarë tjetër? Tamam ai, Lulzim Basha, katër shqiptare që nuk bën kurrë atë që ti bëre sot, i vrau, po, po i pushkatoi dhe ishte Ministër i Brendshëm”, shkruan zv.kryeministri Braçe.
Numri dy i qeverisë ka bërë edhe lojë fjalësh, duke iu drejtuar kryedemokratit me emrin Sasha, e kthyer në një rus.
“Dhe ti dhunon krah tij, për të e menderën e tij?! E kupton sa e padrejtë është!! Ndërkohë, ju të tjerët; Po si ka mundësi që nuk e kuptoni se e gjitha-flaka e tymi, nuk është “pro” jush por “kundër” jush; Nga i pari tek i fundit! Pushtetin doni, por ekonominë tuaj po shkatërroni! Flaka e Tymi, nuk ju japin pushtet, e keni provuar, jeni bërë mbretër për ca orë e pastaj keqbërës në kafazët e gjykatave; Pas kësaj edhe 7 vite në opozitë! Kurrë në pushtet, ju jo e jo, por as edukuesit e zjarrit për ju! Ekonominë tuaj po dëmtoni; Tuajën, asfare të Shashës që paratë i vijnë nga simotrat ruse! Sasha e ka pasurinë e tij, po ju çfarë keni? Sasha e shton pasurinë e tij, po ju pse e pakësoni? Shihni sa pak jeni! Çfarë borxhi ju ka një Shqipëri e tërë qe mezi pret ekonominë të konsolidohet e rritet, kthehet në te ardhura për familjet e saj?! Asgjë! Boll me Lulin! Ai i ka paratë e tija!

Boja para ministrisë, PD: Shqipërinë e ke nxirë ti Edi Rama
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka treguar domethënien e 3 njollave me bojë të zezë tek Ministria e Brendshme, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe reagimit të kryeministrit Rama.
Për demokratin Bardhi, Shqipërinë e ka nxirë Edi Rama duke e kthyer në këto 6 vite në “bazë operacionale të krimit të organizuar rajonal”.
“Shqipërinë e ka nxirë Edi Rama duke e kthyer në këto 6 vite në ‘bazë operacionale të krimit të organizuar rajonal’, ‘pikë kyçe të shpërndarjes së heroinës në gjithë Europën’ dhe ‘vend kryesor të pastrimit të parave në botë’”, shkruan Bardhi në Facebook.
Më tej ai sqaron se edhe për kë ishin ato tre njolla.
“Njollat e zeza sot mbi Ministrinë e Brendshme nga qytetarët ishin: 1 për Saimir Tahirin – kampionin e narkoshtetit në Ministrinë e Brendshme; 1 për Fatmir Xhafajn – kampionin e përdorimit të Policisë së Shtetit për të mbrojtur vëllain trafikant droge; 1 për Llesh Kimikun – kampionin e servilizimit, paaftësisë dhe korrupsionit”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





