Politike

Vettingu “Xhafaj” dhe vettingu “Lleshaj”, ku ndryshojnë?

Mentor Kasa – Në mungesë të Kryeministrit Edi Rama dhe me presionin e protestës së opozitës jashtë dyerve të Kuvendit, “fërkimet” brenda sallës së seancave plenare mes socialistëve nuk munguan. Protagonistë u bënë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe pasaardhësi i tij, Sandër Lleshaj.

“Molla e sherrit” ishte vettingu në polici, një ide e Fatmir Xhafajt, që nuk arriti ta çojë deri në fund për shkak të largimit nga detyra në vjeshtën e vitit të kaluar. Në mendjen e Xhafajt ishte ndërmarrja e një reforme sipas modelit të vettingut në drejtësi dhe për këtë u miratua edhe ligji.

Përplasja Xhafaj-Lleshaj u përqendrua tek mekanizmi se kush duhet të verifikojë integritetin dhe pasurinë e punonjësve të policisë. Me ndryshimet e propozuara nga Lleshaj, kjo detyrë i ngarkohet Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një strukturë në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit të Brendshëm. Kjo ishte kritika e parë e Xhafajt.

“Në vlerësimin tim ndryshimet nuk janë të duhura në disa arsye. Mund të cenohet pavarësia e procesit. Kemi të bëjmë me skanim të veçantë dhe nuk mund të bëhet nga SHÇBA në varësi të ministrit. Së dyti cenohet cilësia dhe shpejtësia e procesit. SHÇBA-ja nuk ka dhe nuk do të ketë për shumë kohë kapacitetet për ta kryer këtë proces”, deklaroi Fatmir Xhafaj.

Ish-ministri rrëzoi edhe argumentin financiar të dhënë nga pasaardhësi i tij. Lleshaj tha se përmes skanimit nga SHÇBA buxhetit të shtetit i kursehen 2 milionë euro. Xhafaj tha se kjo shumë është e papërfillshme në krahasim me dobinë që sjell një proces i paparagjykuar dhe i paanshëm”, tha Xhafaj.

Xhafaj nuk gjeti mbështetjen e kolegëve të tjerë socialistë, as atë të Kryeministrit Edi Rama, të paktën sipas një detaji në Facebook. Në ERTV-në e tij, kreu i Qeverisë transmetoi drejtpërdrejtë fjalën e të gjithë deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit që drejton që folën për nevojën e vettingut në polici, por jo atë të Fatmir Xhafajt, njeriut që e ideoi këtë proces.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i jep të drejtë Fatmir Xhafajt. KSHH thotë se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, një shërbim në varësi të Ministrit të Brendshëm, nuk ka pavarësinë që të kontrollojë policët.

“KSHH mendon se angazhimi i SHÇBA-së për krejt fazën e dytë dhe të tretë të procesit të vlerësimit nuk është zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë, madje përbën regres në raport me standardet që parashikon legjislacioni ekzistues, në drejtim të respektimit të parimit të objektivitetit dhe paanshmërisë së strukturave që do të kryejnë vettingun në polici”, thuhet në deklaratë.

Sipas ligjit të propozuar nga Fatmir Xhafaj u ngrit Komisioni i Vlerësimit, ndërsa për vlerësimin e gradave të larta ngrihej një komision që në ligj quhet Komisioni i Jashtëm, ku anëtarët janë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. Konkretisht 5 anëtarë vijnë nga ILDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve dhe 5 anëtarë përzgjidhen me konkurrim.

Në kuadër të këtij procesi, punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe vetë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat dorëzuan formularët e vetëdeklarimit. Procesi parashikohej që të niste në mënyrë hierarkike në tre kategori, nga grada më e lartë tek më e ulta. Në gradën e lartë bëhej fjalë për 300 punonjës, në atë e mesme 3 mijë punonjës dhe e ulët, ku futen rreth 9 mijë punonjës.

Sipas ligjit të Xhafajt, Komisioni i Vlerësimit do të testonte duke e nisur punën nga gradat e larta, për të shkuar në fund tek punonjësi më i thjeshtë i policisë, gardës e SHÇBA-së. Kjo ishte faza e parë. Faza e dytë e parashikuar nga ligji ishte ngritja e një Komisioni Qendror i Vlerësimit me 45 anëtarë, 30 nga të cilët nga radhët e policisë që e kanë kaluar Vetting-un në fazën e parë.

Këtu kanë ndërhyrë ndryshimet e Lleshajt, që shmangin këtë Komision Qendror Vlerësimi dhe ja ngarkojnë këtë detyrë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që në propozimin e Xhafajt ishte vetë subjekt i verifikimit. Këto ndryshime menjanojnë edhe fazën e tretë të parashikuar në ligjin fillestar.

Megjithëse ndryshimet cekin thelbin e vettingut nga Ministria e Brendshme pohojnë për gazetën “Si” se procesi jo vetëm që vijon të mbështetet tek tre kriteret; atë të pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësisë profesionale, por edhe e përshpejton atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë