Mentor Kasa – Opozita i qëndroi korrekte traditës së vendosur që prej 21 shkurtit për të protestuar para Kuvendit, sa herë që ky i fundit mblidhet në seancë plenare. Edhe këtë të enjte, protestuesit e parë u stacionuan në rrugën “George W. Bush” dhe përballë Ministrisë së Brendshme, në hyrje të pedonales që e lidh këtë institucion me sallën e Parlamentit.
Me thirrjet “Rama ik”, mbështetësit e parë opozitarë që u vendosën në këto dy stacione gjetën përballë tyre policinë dhe Gardën e Republikës në gatishmëri me masa të përforcuara sigurie. Përplasjet e para do të regjistroheshin përballë Ministrisë së Brendshme. Policia ndërhyu për të distancuar protestuesit nga hyrja e godinës, ku ministri Sandër Lleshaj do të zhvillonte një takim me një delegacion holandez.
Në krye të protestuesve të opozitës në këtë anë ndodhej ish-deputetja, Albana Vokshi. Vokshi dhe drejtuesit e policisë shkëmbyen për pak momente debate mes tyre, ndërsa hyrja e ministrit Sandër Lleshaj për në zyrë u shoqërua me kore “Turp, turp” dhe “Lleshi i krimit”.

Thuajse në të njëjtën kohë para Parlamentit, ku numri i protestuesve po shumëfishohej gradualisht nisin fërkimet e para me kordonin e policisë. Manifestuesit u përpoqën që të çajnë kordonin e parë të sigurisë, që përbëhej nga efektivë të forcave “Shqiponja”. Përpjekja aktivizoi efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autobotet me topat e ujit, që u vunë në gatishmëri.
Pak pas orës 10:00, Lulzim Basha niset me një grup tjetër mbështetësish nga selia e Partisë Demokratike në drejtim të rrugës “George W. Bush”, aty ku e priste numri më i madh i protestuesve. Në momentin që kreu i PD-së mbërriti atje, i shoqëruar edhe nga Monika Kryemadhi dhe ish-deputetë të tjerë të opozitës, përplasjet mes protestuesve dhe policisë u ndalën, por jo tensioni mes tyre.
Këtu nisën të marrin me radhë fjalën ish-deputetë dhe drejtues të tjerë të opozitës, që të gjithë në sinkron dhe të vendosur në kërkesën për largimin e Edi Ramës. Deri në këtë moment, përpjekjet e protestuesve opozitarë për të hyrë me forcë në Kuvend kishin qenë më minimale se në protestat e shkuara. Por, gjuha e përdorur nga udhëheqësit opozitarë ishte e njëjta, në mos më e ashpërsuar.
“Shqiptarët ngrihen fort dhe të thyejnë turinjtë kur u do qejfi”, i drejtohej Monika Kryemadhi, Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ndodhej brenda në sallën e Kuvendit, ku anëtarët e tjerë të mazhorancës dhe deputetët e tjerë, që nuk lanë, apo që morën mandatet ndodheshin për të ndjekur punimet e rendit të ditës.
Sipas Kryemadhit, fasada e Rilindjes, e ngritur me paratë e drogës po gënjen edhe ndërkombëtarët.
“Nuk kanë faj ndërkombëtarët që vijnë këtu. Shohin kulla të larta të shtrenjta që nuk janë bërë me paratë e pastra të bizneseve shqiptare, por me paratë e krimit. Nuk ka pullë të shkruajtur në ballë. por themelet e kullave të shumta, që vetëm në një vit u ngritën mbi 365, janë paratë e drogës që mbolli në 2015-ën, dhe i shiti në 2016-ën, që bleu votat me bandat e krimit në 2017-ën”, vijoi ajo.
Me të njëjtën ashpërsi u karakterizua edhe fjalimi i Lulzim Bashës. Ai foli për fund të monopolit shtetëror të dhunës, e bashkë me të edhe të monopoleve të tjera.
“Orës kur monopolin e dhunës e ka shteti i ka ardhur fundi. Fundi do t’u vijë të gjithë monpoleve të tjera në shëndetësi, miniera, naftë, ndërtim. Ta dish se populli do të përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë. Nuk trembemi! Nuk tërhiqemi! Beteja jonë do të vazhdojë deri në fund, liri a vdekje, demokraci a vdekje”, u shpreh kreu i PD-së.
Basha pati një paralajmërim edhe për ata që i quan oligarkë shërbëtorë të Edi Ramës. “Mjerë ata oligarkë e shërbëtorë të Edi Ramës që i kanë bërë llogaritë gabim. Ora e hakmarrjes popullore po afron!”, shtoi ai.
Gjatë fjalës së Lulzim Bashës, në hyrjen kryesore të Kuvendit mes një grupi protestuesish dhe kordonit të parë të policëve, zhvillohej një betejë e balancuar ku metrat e avancimit herë shkonin nga njëra palë, herë nga tjetra. Gurët e sendet e tjera të forta munguan, ashtu siç mungoi gazi lotsjellës dhe përdorimi i autoboteve me topat e ujit. Megjithatë, një i ri në radhët e protestuesve mbeti i lënduar.
Ironikisht, efektivët e policisë po mbronin nga mësymja e protestuesve opozitarë sallën ku mazhoranca po diskutonte ligjin i vettingut për ta, një ligj që pritet të largojë një numër të konsiderueshëm punonjësisht aktualë të uniformave blu.

Gjithsesi, me këtë “vallëzim” pa incidente mes protestuesve dhe policisë u mbyll fjala e Bashës dhe mikrofonin e mori Flamur Noka. Fjala e tij ishte e shkurtër, ku pas thirrjes “Rama ik”, ftoi protestuesit që të ndiqnin Lulzim Bashën në marshimin e demokracisë. Ndalesën e radhës nuk e shqiptoi, por ajo u zbulua nga vetë Kreu i PD-së.
Lulzim Basha u priu mbështetësve opozitarë dhe pasi kaloi në rrugën “Abdi Toptani” zbuloi se në shënjestër ishte godina e Ministrisë së Brendshme. Këtu, protestuesit hodhën parrulla “Qeveri e krimit” dhe bojë të zezë në drejtim të mureve të godinës në shenjë simbolike.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi përmes rrjeteve sociale për bojën e hedhur në muret e zyrës së tij. “Modeli i sjelljes politike të Lulzim Bashës ndaj Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të cilën dikur e ka turpëruar si kreu saj dhe sot mundohet të njollosë me mjetet e tij”, deklaroi ai shkurtimisht.
Si piktor, boja është pjesë e pandashme e jetës së Edi Ramës, por boja e hedhur ndaj Ministrisë së Brendshme jo. Ai i kushtoi komentin e parë për protestën e opozitës pikërisht kësaj boje të zezë. Rama publikon të njëjtën video që më herët kishte publikuar Sandër Lleshaj, por me një shënim. “Gati për eksport produkti më i ri për nxirjen e Shqipërisë”, shkruan ai.
Përveç bojës, as këtu nuk u regjistruan incidente madhore dhe më pas, Basha udhëhoqi turmën në marshimin e fundit drejt selisë së Partisë Demokratike, për të bërë mbylljen tradicionale të protestës me fjalën e fundit dhe këndimin e Himnin Kombëtar.
Pas përmbylljes së protestës së opozitës, gjithçka më pas duket se i është rikthyer qetësisë dhe normalitetit të përditshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




















