Lajme

Vrasja në ish-Bllok, Gjykata e Apelit lë të lirë Ervin Matën

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë të lirë Ervin Matajn, i cili u përfshi në vrasjen e 4 tetorit që ndodhi në ish-Bllok.
Më herët, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” për Matajn, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”.
Vrasja në ish-Bllok ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit në lokalin Metropol, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagos Ervis Martinaj së bashku me Elion Haton. Gaxha u qëllua për vdekje nga komandoja Merviol Bilo si pasojë e një përplasje me armë mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës.
Në raportimet për ngjarjen e ish-Bllokut u përfshi edhe këngëtarja Elvana Gjata, e cila është e fejuara e Ervin Matajt. Por pas hetimeve rezultoi se këngëtarja nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me ngjarjen.
Aktualisht janë të shpallur në kërkim vetëm dy persona, Mervjol Bilo dhe Eldi Dizdari. Komandoja Mervjol Bilo, sipas dosjes së Prokurorisë është personi që ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vrarë Fabian Gaxhën dhe plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haton.
Ndërsa biznesmeni Eldi Dizdari ishte identifikuar nga grupi hetimor disa ditë pas ngjarjes, por vetëm në mesin e muajit nëntor Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij e për rrjedhojë, Policia e ka shpallur në kërkim, pasi nuk e ka gjetur në banesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë