Politike

Nesër protestë para Parlamentit, të premten festë me avionët e NATO-s

Opozita do të protestojë sërish përpara Parlamentit, gjatë kohës kur do të mbahet seanca plenare e orës 10:00. Një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur kolegjin e kryetarëve, në përbërje të të cilit janë krerët e rretheve të PD-së, për të përcaktuar rrugën e vijimit të protestave të opozitës.
Sipas burimeve, mësohet se Basha ka kërkuar që strukturat e PD-së të jenë në gatishmëri për sa i përket çështjes së protestave, pasi është vendosur që në çdo seancë parlamentare, çdo të enjte të ketë protestë.
Caktimi i grupeve të gatshme për protestat, parashikon që në ditë të caktuara të vijnë protestues nga qytete të ndryshme për të mos angazhuar të njëjtët protestues çdo të enjte, si dhe për të pasur më efikasitet në realizimin protestës.

Seanca e Kuvendit do të jetë në ora 10:00, por PD ka njoftuar protestuesit e saj që të jenë prezent që në ora 09:30, duke pasur të njëjtin skenar, rrethimin e Parlamentit.
Opozita ka shpallur 13 prillin si ditën e mbajtës së protestës kombëtare përpara Kryeministrisë. Ndryshe nga herët e tjera, opozita ka vendosur që ta nisë protestën në ora 18:00.
Në disa protesta të zhvilluara ka pasur edhe dhunë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, e gjithashtu ka pasur protestues të arrestuar.
Për angazhimin në protesta kryedemokrati Lulzim Basha pati shprehur rezerva.
“Duhet të jeni në ballë të protestës. Mos rrini në kafe por zbrisni në terren dhe takoni qytetarët”,- mësohet të ketë thënë Basha ndër të tjera para ish-deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së PD.
Gjithashtu është vendosur nga kryedemokrati që të zhvillohen mbledhje javore të të gjitha degëve dhe përgatitje për protestat.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ngritjen e një qeverie tranzitore që do e përgatiste vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke i hapur rrugën e integrimit europian. Kushti i vendosur nga ana e opozitës është refuzuar prerazi nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi se PS-ja nuk ka mandat për të dorëzuar pushtetin në tavolinë. Gjithashtu kryeministri sfidoi opozitën, ku i ftoi se nëse në zgjedhjet lokale, opozita fiton një bashki më shumë se sa PS-ja, atëherë në vjeshtë do të ketë zgjedhje të parakohshme.


Të premten, festa për 10-vjetorin e NATO-s
Një ditë pas protestës së opozitës në Shqipëri do të festohet 10-vjetori i anëtarësimit në NATO. Për këtë ministria e Mbrojtjes prej ditësh ka po organizon një event special për të kumtuar këtë ditë ku Shqipërisë më 1 prill të 2009 u bë anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake. Kështu mësohet se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh të nivelit të lartë, seminare rajonale dhe çështje të NATO-s, si dhe stërvitje kombëtare/rajonale dhe të përbashkëta me NATO-n në vendin tonë.
Ky vit përkon dhe me drejtimin e pothuajse te gjitha nismave rajonale nga vendi ynë (A5- Adriatik – Charter; SEDM; RACVIAC). Ndër eventet më kryesore parashikohen të jenë aktivitetet e datave 28 – 29 Mars, “Shqipëria 10 vjet në NATO”, ku janë ftuar të marrin pjesë: Ministra të Mbrojtjes dhe Shefa Shtabesh të vendeve anëtare dhe komandave të NATO-s; ambasadorë; atashe të akredituar në vendit tonë dhe parlamentarë të vendeve anëtare të NATO. Në këtë event do të jetë prezent edhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, shteti i cili pritet të jetë anëtar i 30-të i NATO-s.

Në datën 29 mars do të mbahet konferenca e nivelit të lartë me temë “Shqipëria 10 vjet në NATO – Siguri e shtuar për rajonin”. Po në këtë ditë 3500 efektivëve të Forcave të Armatosura, si dhe do të ketë një paradë fluturimi të avionëve të NATO-s mbi Tiranë. Mësohet se 6 avionë luftarakë do të japin spektakël në qiellin e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë