Lajme

Vokshi: Siguria fizike e mjekëve s’është çështje e Kodit Penal. Njerëzit e Ramës u pasuruan

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ndryshime të pritshme lidhur në Kodin Penal lidhur me dhunën ndaj mjekëve, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.
Nëpërmjet ish-deputetes Albana Vokshi, Partia Demokratike sulmoi kryeministrin pasi, sipas tyre, “siguria fizike e mjekëve nuk është çështje e Kodit Penal, ashtu siç nuk është edhe siguria e gjyqtarëve në fushat e futbollit”.
PD thotë se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se çështje e vjedhjes dhe pasurimit të njerëzve të Edi Ramës dhe kupolës së Policisë së Shtetit.
“Në vitet e drejtimit të vendit nga Edi Rama, qeveria ka shpenzuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë rreth 101 milionë euro për të paguar shërbimin e sigurisë për institucionet, të cilin Edi Rama e quajti sot një dështim. Në vend që të mbajë përgjegjësi për mungesën e sigurisë në spitale dhe në institucione të tjera, Edi Rama qan me lot krokodili dhe bën me faj Kodin Penal.
Shqiptarët duhet të mësojnë arsyen e vërtetë përse nuk funksionon shërbimi i sigurisë. Qëllimi i blerjes së këtij shërbimi nga qeveria nuk është siguria në spitale apo mbrojtja nga dhuna e mjekëve dhe infermierëve, por pasurimi i njerëzve të oborrit të Edi Ramës”, shprehet Vokshi.
Sipas saj, që nga viti 2014 dhe deri tani, qeveria e Edi Ramës ka tenderuar 101 milionë euro dhe 1/3-ën e kësaj shume, rreth 34 milionë, i ka marrë Safet Gjici dhe Pjerin Ndreu.

“Safet Gjici, nëpërmjet dy shoqërive të lidhura me të, Toni Security dhe Eurogjici Security ka përfituar 24,8 milionë euro. Pjerin Ndreu, nëpërmjet kompanisë së lidhur me të, Ndreu Security Service, ka përfituar 9,1 milionë euro.
Nëse këta nuk kanë ofruar shërbimin siç duhet dhe siguria nuk është garantuar në institucione, siç deklaroi Edi Rama sot, faji nuk është i Kodit Penal. Edi Rama ka patur detyrimin t’u kërkonte llogari dhe t’u merrte lekët mbrapsht, jo t’i bënte deputetë, prefektë apo t’i promovojë si kandidatë për kryetarë bashkie”, thotë ndër të tjera Vokshi.
Në fund, Vokshi thotë se “zgjidhja për sigurinë nuk është ndryshimi i Kodit Penal, për sa kohë me paratë për Gjicin dhe Ndreun financohet fushata e Edi Ramës dhe pajisen me armë kriminelë që blejnë vota për pushtetin e Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë