Politike

Mandatet, shteron lista e PD-së në Kukës, KQZ duhet t’ia japë PS-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të japë mandatin për tre deputetë të rinj të Parlamentit, si procedurë e zëvendësimit nga vakancat e krijuara. Arben Elezi është nga lista e PD-së që do të zëvendësojë Edmond Spahon në Elbasan. Nënkryetari i PD-së, Spaho është i pari i listës së demokratëve në këtë qark. Ambra Borova do të jetë deputetja e LSI-së, e cila do të marrë mandatin e Agron Çelës në Shkodër. Ndërsa Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë Balli Kombëtar, do të marrë mandatin e Agron Shehajt të PD-së në qarkun e Vlorës. Alimadhi është i gjashti në listën shumemërore të PD-së.

Në mbledhjen e nesërme KQZ-ja do të shpallë moszgjedhshmërinë e kandidatit të radhës në listën shumëemërore të 13 kandidatëve të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim në disa qarqe të ndryshme. Llambriola Misto e LSI-së në Berat dhe Klevi Pojana i LSI-së për Tiranën janë kandidatët që nuk plotësuan formularin e deklarimit, duke sjellë në mënyrë automatike djegien e tyre nga procesi i dhënies së mandatit. Sipas ligjit të Dekriminalizmit nëse brenda 10 ditëve nuk plotëson formularin atëherë nuk i jepet mandati.
Nga lista e PD-së janë 11 emra si Vullnet Topalli, Helenida Sava; Marta Male, Miftar Dauti; Martin Biba, Gjokë UIdedaj; Zana Prela, Enkelejda Sallaku, Besmira Petriti dhe Ana Kadillari.
Ndërkohë që e veçanta është se lista e PD-së për qarkun e Kukësit, si pasojë e refuzimit të kandidatëve ka shterrruar. PD ka fituar dy mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke zgjedhur deputetë Flamur Nokën dhe Isuf Çelën. Mandatin e Flamur Nokës e mori kandidati Alban Zeneli, i cili refuzoi urdhrin e PD-së. Ndërsa për mandatin e Çelës, KQZ-ja i ka drejtuar letër Miftar Dautit, por ai e ka refuzuar.
Meqënëse PD-së ka paraqitur 4 emra në zgjedhjet e 2017-ës, atëherë për Kukësin ka shteruar lista shumemërore e demokratëve. Mbi bazën e këtij fakti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë një vendim për të situatë. Bazuar në Kodin Zgjedhor në rast të shterimit të listës shumemërore të një partie politike, atëherë vijohet me partinë tjetër që ka më shumë vota.
“Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet në pikën 4 të nenit 164 të Kodit Zgjedhor.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 asnjë parti nuk doli në koalicion zgjedhor. Kështu mbi bazën e kësaj përllogaritjeje i bie që Partia Socialiste duhet t’i marrë mandatet e PD-së, por që kanë mbetur pa u plotësuar nga demokratët.

Lista e kandidatëve që refuzuan marrjen e mandatit të deputetit

LSI
Llambriola Misto – Berat
Klevi Pojana – Tiranë

Partia DemokratikeVullnet Topalli- Durrë

Helenida Sava-Durrës

Mimoza Çomo- Gjirokastër

Marta Male-Korçë

Miftar Dauti- Kukës

Martin Biba-Lezhë

Gjokë Uldedaj- Shkodër

Zana Prela-Tiranë

Enkelejda Sallaku-Tiranë

Besmira Petriti- Tiranë

Ana Kadillari-Tiranë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë