Lajme

Skandali me indianin, Ministria e Jashtme ia heq mandatin e konsullit

Ministria e Jashtme i ndërpret mandatin e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara, pas akuzave të dalë në lidhje me skandalin për mashtrimin e parave.
Ky vendim bëhet i ditur nga ana e MEPJ-së nëpërmjet një reagimi për shtyp, pasi skandalit të hapur në lidhje me dhënien e nënshtetësisë, por edhe për faktin se prej shtetasve indianë të shpallur në kërkim ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu ky institucion ka sqaruar se procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Ndërsa sa i përket dhënies së nënshtetësisë shqiptare dhe pajisjes me pasaportë shqiptare e Sandesaras, theksohet se nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
“Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cenojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal”, thekson MEPJ-ja.
Referuar medias indiane “The Times of India”, dy vëllezërit Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara, kanë marrë rreth 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, duke i zhdukur më pas përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”, të krijuara prej tyre. Për këtë skandal, Gjykata në Indi ka dhënë katër urdhërarreste dhe është në kërkim të tyre. Ndërkohë që dy vëllezërit Sandesara dhe Hitesh Patel ishin ndër më të kërkuarit në Indi për shkak të mashtrimit, në Shqipëri ata jetonin të qetë dhe kishin investuar në disa zona, duke pastruar kështu paratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë