Kriza politike mund të ndikojë në standardet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, pasi partitë nuk po iu përgjigjen afateve për emërim të komisionerëve. Alarmi është dhënë nga ana e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri gjatë raportimit të sotëm në Parlament, përpara depuetëve të komisionit të Ligjeve.
“Përplasja politike, me shumë gjasë, nuk ka për ta lënë KQZ-në pa e përfshirë në vorbullën e saj, sepse përplasja politike do godasë dhe zgjedhjet lokale, së paku administrimin e tyre. Nëse ndodh, atëherë Kuvendi duhet t’i japë mbështetje të përforcuar KQZ-së, duhet të mbrojë pavarësinë e tij, duhet ta inkurajojë në zbatimin me fanatizëm të ligjit. Që zgjedhjet lokale të zhvillohen me sukses, ato kanë nevojë për një administratë të vendosur, të fortë, serioze e profesionale. Këtë gjë nuk e ka në dorë KQZ-ja, nuk e ka vetëm KQZ-ja. Sidomos Kuvendi mund të bëjë shumë në këtë drejtim”, theksoi Zguri gjatë paraqitjes së raportit vjetor.
Më tej ai theksoi që zgjedhjet e ardhshme lokale të zhvillohen me standard duhet që administrata zgjedhore të jetë e besueshme, jo vetëm për ata që konkurrojnë, por në radhë të parë, për ata që votojnë.
“Edhe për këtë nuk mjafton vetëm KQZ-ja. Kuvendi mund të bëjë shumë edhe në këtë drejtim. Ju lutem mbajeni në vëmendje këtë shqetësim, sepse mund të ketë nevojë për ndërhyrjen tuaj”, theksoi Zguri.
Por kjo deklaratë e mbajtur nga kryekomisioneri, që është zgjedhur në këtë institucion me propozim të PD-së, është kundërshtuar nga ana e socialistit Ulsi Manja, i cili theksoi se situata nuk është aq shqetësuese se sa duket.

Manja gjatë diskutimit të tij, përsëriti ftesën për dialog me opozitën, dhe i tha kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri se mazhoranca do e japë ndihmën e saj për administrimin e zgjedhjeve.
“Kemi dorën e shtrirë për opozitën, ftesën e hapur, por nuk mund ta ndalojmë këtë proces. Opozita i kërkon rregullat e lojës jashtë institucioneve dhe jam i sigurt që opozita do duhet t’i kthehet komisionit të reformës zgjedhore. Mua nuk më duket dhe aq e ndezur situata politike në Shqipëri, sa i përket administrimit të zgjedhjeve. Janë 62 parti me kryetarë anonimë, që ndoshta kanë edhe probleme me ligjin, por partitë politike nuk i pengojnë dot qytetarët të votojnë. Do t’u japim ndihmën tonë që ta administroni mirë procesin e zgjedhjeve më 30 qershor. Sa i përket shqetësimit për shitblerjen e votës ne si mazhorancë e kemi në tryezë dhe Reformën Zgjedhore dhe pse jo ashpërsime në Kod”, theksoi Manja.

Gjatë raportimit të tij, Zguri ka shprehur shqetësimin edhe në lidhje me faktin se ndryshimit të komisionerëve të niveleve të dyta apo të treta të partive politike, çka sjellë probleme në miradministrimin e procesit zgjedhor.
Sipas tij, kjo sjellje e partive politike ndikon; në opinionin publik për paanshmërinë, hedh dyshime për pavarësinë e administratës zgjedhore; cenon profesionalizmin e komisionerëve (zëvendësimet ndodhin pasi KQZ ka realizuar trajnimin e KZAZ-ve); cenon kolegjialitetin e funksionimit të KZAZ-ve, edhe për shkak të mosnjohjes së procedurave nga anëtarët e pa trajnuar; cenon njëtrajtshmërinë e procesit, veçanërisht atë të numërimit të votave, shkakton vonesa në nxjerrjen e tabelave të rezultateve, e të tjerë.
“Emërimet e komisionerëve të nivelit të III-të (KQV), në tejkalim të skajshëm të afatit ligjor apo të anëtarëve të grupeve të numërimit të votave (GNV), përgjithësisht para fillimit të procesit të numërimit, por edhe gjatë procesit të numërimit, sjellje e dëshmuar në të gjitha proceset zgjedhore, cenon rëndë miradministrimin e procesit zgjedhor, fakt i cili reflektohet edhe në raportet e OSBE/ODIHR-it”, theksoi Zguri.
Deputeti i PS-së, Alket Hyseni ka ngritur shqetësimin në lidhje kontratën e lotimit të PD-së me kompanitë me SHBA-në dhe nëse ka hetuar KQZ-ja në lidhje me këtë çështje. Kryekomisioneri Zguri u shpreh në komision se kanë qenë anëtarët e zgjedhur nga socialistët që nuk e kanë dashur një veprim të thelluar në lidhje me këtë çështje.
PD dhe LSI nuk kanë paraqitur komisionerë për KZAZ, duke shkelur afatin e vendosur me 18 mars. Kjo shihet një sinjal për bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Por partitë e opozitës me hapësirën që i jep ligji mund t’i paraqesin emrat edhe para 2 prillit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





