Lajme

Lobimi në SHBA, Basha: Asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj

Pas daljes nga Prokuroria, kryetari i opozitës ka mohuar të gjitha akuzat që i janë bërë dhe shprehet se thirrja ndaj tij bëhet sa herë që qeverisë i duhet ta shfrytëzojë këtë çështje për qëllime politike.
Basha theksoi sot tha se asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjëherë ligjin.
“Jemi thirrur sot në prokurori për të dhënë informacione si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit. Hetimi i hapur prej 1.5 viti bëhet mbi bazën e nenit 190 për çështjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në KQZ. Çështja që po hetohet me kërkesë të PD-së është nëse këto formularë janë mbushur apo jo siç duhet. Ky është hetimi, jo gënjeshtrat e shpikura nga qeveria. Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjja nga SHBA e Britani e Madhe që vërtetojnë se as PD asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj as në Shqipëri, Amerikë e Britani”, shprehet Basha.
Kryedemokrati po ashtu i bën thirrje Prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Skocia.
“I kërkoj Prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë. Ju nxis dhe ju t’i kërkoni Prokurorisë t’i bëj publike”, u shpreh Basha.
Ende nuk ka informacione të detajuara se çfarë ka thënë brenda ambienteve të Prokurorisë. Përveç kryedemokratit Basha, brenda ambienteve të Prokurorisë ka dëshmuar edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Në përfundim ai nuk pranoi që të komentonte duke u shprehur se “Nuk kam asgjë për të shtuar nga çka thënë zoti Basha”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike sot ishte i thirrur në Prokurorinë e Tiranës, si person që ka dijeni, në vijim të hetimit të nisur për dosjen e lobimit në SHBA.
Lidhjet e mundshme me Rusinë të Partisë Demokratike në fushatën e saj janë bërë temë debati dhe kundërshtarët politikë kanë kërkuar një hetim të thellë mbi këtë çështje.
Vetëm pak ditë më parë, teksa ishte protesta e opozitës para Kuvendit dhe Basha ndodhej në Bruksel, ai refuzoi thirrjen e parë të Prokurorisë pas ardhjes së letërporosive nga SHBA.
Këtë herë Basha është thirrur si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë që herën e parë, ai ishte thirrur për t’u njohur me aktet.
Kreu i Partisë Demokratike e refuzoi paraqitjen pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në letrën që i përgjigjet Prokurorisë së Tiranës shprehej i habitur nga thirrja duke e quajtur kërkesën si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pambështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.
“As unë, asnjë drejtues tjetër i Partisë Demokratike dhe as Partia Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, prandaj as unë dhe as një drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk ka nevojë dhe ju nuk keni asnjë detyrim ta na informoni për asnjë të dhënë që mund të jeni duke mbledhur në kuadër të verifikimeve tuaja”, citohej në letrën e Bashës drejtuar Prokurorisë së Tiranës.
Basha shpjegoi se zyrtarët e PD janë paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje. Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet.
Hetimet për dosjen e lobimit janë riaktivizuar nga ardhja e dy letërporosive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Skocia, nga ku PD ka paguar 525.000 dollarë, ndërsa kompanisë “Biniatta Trade” 150.000 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë