“Bashkitë që duam. Për Shqipërinë që duam”, ky është lajtmotivi i Kongresit të PS-së, i cilësuar si elektoral dhe synon ndezjen e motorëve për zgjedhjet lokale nga partia në pushtet.
Kryesocialisti Edi Rama dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj kanë ardhur së bashku në këtë Kongres, të dy me veshje “casual”, që të dy me atlete, duke i dhënë një mesazh të fortë atij që do të shpallet për kandidat për një mandat të dytë për bashkinë e Tiranës.

Kongresin e hapi, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se “Shumica e shqiptarëve ka sot bindjen se ne jemi e vetmja force politike që mund te qeverisë vendin”. Ndërsa shtoi me tej, se kjo shumice qeverisëse po i qëndron besnik angazhimeve të bëra para shqiptarëve.
“Në zgjedhjet vendore ne duhet të rikonfirmohemi në të gjitha bashkitë ku shqiptarët na kanë dhënë besimin për të shërbyer deri tani. Duhet të fillojmë ndryshimin edhe në Bashkitë që kanë mbetur peng i partive kundërshtare. Sot është dita e ndezjes së motorëve për të fituar në 61 bashkitë e vendit. Për të adresuar boshllëkun nga mungesa e një opozite konstruktive, që sajon një ngërç artificial të njëanshëm pas braktisjes të mandateve detyra jonë është të përfaqësojmë shumicën e shqiptarëve”, u shpreh Balla.
Ai deklaroi se PS-ja është e gatshme të dialogojë me opozitën, por vetëm në dobi të zhvillimit të vendit, duke theksuar se Rama do të jetë kryeministri që do të udhëheqë PS-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
“PS sot është e vetmja forcë politike model në Shqipëri. Është e domosdoshme që të vazhdojmë aksionin tonë për rritjen e përfaqësisë dhe anëtarësisë për të siguruara bashkëpunimin sistematik nga anëtari më i thjeshtë te kryetari i saj. Nga ky kongres ne do të dalim më të motivuar për t’u përmirësuar edhe më tej. Partia është garancia e mos harresës nga ne këtu lart për ju atje poshtë. Të dashur delegatë, ne i fituam zgjedhjet e 2017 me një rezultat spektakolar, ne jemi të gatshëm për çdo lloj dialogu parlamentar në favor të vend dhe qytetarëve, në zgjedhjet e 2021 do të shkojë me kryeministër Edi Ramën për një mandat të tretë”, theksoi Balla.

Më pas vijuan me paraqitjen e dy prej rasteve të suksesit si pasojë e platformës “Shqipëria që duam”, që u pasuan me diskutimet e ministrave, të po prezantojnë reformat e ndërmarra nga qeveria.
E veçanta është se gazetarët nuk janë pranuar që të futen brenda në sallën e Kongreseve, por e ndjekin nga holli.
Në Kongres është thirrur e gjithë anëtarësia socialiste. Përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin parkuar dhjetëra autobusë të cilët kishin sjellë nga rrethet jo vetëm delegatët e Kongresit, por edhe anëtarët e simpatizantët që do të mbushin sheshin “Nënë Tereza” ku në ora 12:00 do të prezantohet kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj. Përpara sheshin janë vendosur 10 mijë karrige për të ulur simpatizantët, ndërsa janë vendosur tre billboarde, për të mundësuar pamjet e të ftuarve nga diskutime në shesh. Aty pritet që të mbajë fjalën kryeministri Edi Rama dhe të shpallen edhe 100 kandidatët për këshillin bashkiak të Tiranës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




