Tre ditë përpara ndërrimit të viteve, kryesocialisti Edi Rama mblodhi Asamblenë e PS-së ku si një rrufe në qiell të hapur shpalli ndryshimet pothuajse të gjysmës së kabinetit qeveritar. Në fjalën e tij të gjatë para anëtarëve të Asamblesë dhe deputetëve ai i argumentoi ndryshimet me “shuplakën” që i dha protesta e studentëve.
Zv.kryeministri, ministrat e Financave, Arsimi, Kulturës, Infrastrukturës, i Jashtëm, i Bujqësisë, i Mbrojtjes së Sipërmarrjes ishin postet që u ndryshuan nga Rama. Njëherësh, në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, Rama vuri në shenjëstër edhe dy ministrat e tjerë të Mjedisit dhe të Shëndetësisë. “Blendi Klosi e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë deri në qershor. Po ashtu edhe Ogerta Manastirliu e ka të qartë”, tha kreu i qeverisë para socialistëve.

Vendimi për shkarkimin e ministrave u pasua edhe me habinë e propozimit të ministrave në digasteret kyçe të emrave që vinin jo nga radhët e PS-së, por mund të cilësoheshin si teknikë. Të tilla ishin caktimi i ministres së Financave, Anila Denaj, i Infrastrukturës, Belinda Balluku, të Arsimit, Besa Shahini apo dhe i caktimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Të gjitha emra “teknikë” u kompensuan me caktimin e Erion Braçes si zv.kryeministër i qeverisë.
Por këto ndryshime masive të pothuajse gjysmës së kabinetit u cilësuan si surpriza siç ishte përshembull largimi i Ditmir Bushatit.
Pandeli Majko, Etilda Gjonaj, Olta Xhaçka, Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu ishin ministrat që nuk u larguan, pa përmendur këtu emrin e ministrit të Brendshëm, i cili u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara se të realizohej ndryshimi i thellë i qeverisjes.
Por këto ndryshime të Ramës ishin të bazuara mbi sondazhe, të studiuara apo të marra nën ndikimin e zbutjes së protestës së opozitës apo atë të maxhorancës.
Mësohet se Rama ka kryer disa sondazhe partiake mbi punën e ministrave, por vetë vlerësimi për punën e anëtarëve të kabinetit qeverisës realizohet edhe nëpërmjet raportit vjetor të platformës “Shqipëria që Duam”.
Pikërisht ky raport i vitit 2018 që vlerëson mënyrën se si janë trajtuar ankesat e qytetarëve për mënyrën e ankesave dhe sa janë zgjidhur përmban në fund të saj edhe “Notën” për ministrat e qeverisë.

“Nota ime” është rubrika që vetë qytetarët që hapin platformën mund të vlerësojnë punën e ministrave të caktuar apo institucione të tjera.
Vlerësimi mesatar për qeverisjen në tërësi për nga mënyra se si i zgjidh ankesat e qytetarëve është 6.6. Vetë kryeministri vlerësohet me notën 6.5, e këtë e jep në vetë raportin e publikuar nga qeveria në faqen online.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është ajo që ka marrë numrin më ulët të vlerësimit duke marrë 2,6 si notë mesatare. Pas saj vjen ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me 3.3 si notë mesatare dhe ai Infrastrukturës me notën e vlerësimit 5,6.
Ministritë që janë vlerësuar më shumë janë Ministria e Jashtme me notën 10, e Diasporës po me notën 10. Pas tyre vjen Ministria e Mbrojtjes me një notë mesatare 9,7. Ministrat e tjerë si i ai i Financave, i Shëndetësisë, i Brendshëm janë vlerësuar nga qytetarët me notat që variojnë nga 6 deri te 7.
Pikërisht këto vlerësime si elementë të asaj që disa prej ndryshimeve të realizuara nga Rama me largimin e disa prej ministrave, nuk ishin të bazuara.

Këtu përjashtim mund të përbëjë vetëm ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushatit, i cili edhe pse ka vlerësimin maksimal, është larguar nga posti që mbante.
Por raport i vlerësimit të notave duket se ngel në klasë edhe vetë kryeministrin, pasi ai nga qytetarët nuk ka marrë notën maksimale.
Në kongresin e PS-së që do të mbahet të shtunën, pritet të paraqitet dhe raporti “Shqipëria që Duam” për të treguar zgjidhjen e problemeve që qeveria e majtë u ka ofruar qytetarëve. Pjesë e pasqyrimit të këtyre zgjidhjeve do të jetë edhe nisma tjetër e Ramës “Bashkëqeverisje me Popullin”. Por fokusi i këtij raporti do të jetë vetëm në realizimin e kërkesave për bashkitë, duke u përqendruar kryesisht te ato njësi të qeverisjes vendore që drejtohen nga socialistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





