Protesta tek “Unaza e Re” është përshkallëzuar mbrëmjen e së mmartës, pasi banorët e kësaj zone kanë bllokuar si çdo ditë rrugën.
Por, protesta nuk është mbyllur me bllokimin për 1 orë të rrugës, ashtu siç ka ndodhur për më shumë se 100 ditët e fundit.
Bllokimi i rrugës është bërë prej orës 17:00 dhe banorët nuk janë larguar nga rruga, pasi sipas tyre aty ndodheshin efektivë të FNSH e kanë pasur frikë për arrestime.
Rruga është liruar pak pas orës 21:00, vetëm pasi në vendngjarje ka mbërritur kreu i PD, Lulzim Basha, i cili theksoi se prania e FNSH ka qenë me urdhër politik për të terrorizuar banorët.
“Pushteti ilegjitim i ngritur mbi votën e vjedhur nga bandat po u shërben bandave. Policia ka marrë urdhër që të shoqërojnë banorët që kanë mbi 4 muaj që protestojnë natë për natë për të mbrojtur banesat e tyre, nga afera më korruptive, për të cilën sot duhet të ishte në burg Damian Gjiknuri dhe duhet të ishte marrë i pandehur Edi Rama”, – tha Basha për emisionin “Dritare” në një lidhje telefonike.
Kreu i opozitës konfirmoi se bëhet fjalë për një urdhër për të cilin PD ka informacione të besueshme.
“Ky është një informacion, i cili ka rrjedhur në mënyrë të besueshme, se një urdhër politik, i ardhur nga nivelet më të larta, supozohet nga Sandër Lleshaj e ndoshta edhe nga Edi Rama, për të kryer akte raprezaljeje e terrori mbi banorët. Interpretimi im është se bisha kur është e plagosur, është më e rrezikshme në momentet e fundit. E ka kuptuar se i ka ardhur fundi dhe në vend që t’i vërë gishtin kokës, mendon se mund ta shtyjë, duke ushtruar terror mbi qytetarët. Me çfarë argumenti hodhën gaz mbi protestuesit ditën e shtunë në protestë? Me të njëjtat argumente. Sepse këta janë të dalë nga bandat dhe u shërbejnë bandave, u shërbejnë bandave kundër popullit”, – u shpreh Basha.
Më herët, përmes një statusi në “Facebook” ka reaguar edhe ish-kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i cili thotë se policia e FNSH janë dërguar për të arrestuar njerëzit e thjeshtë
“Po këta te pacipët e qeverisë,që çojnë gjithë policinë e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të arrestuar njerëzit e thjeshtë te Unaza e Re që thjesht mbrojnë shtëpitë e tyre, recepsionistin, që përlante 30 milionë euro nuk e kapin dot, as komisarët e policisë që bënin trafik droge nuk i kapin dot. Çfarë qeveri maskarenjsh”, – shkruan Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




