Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh i sigurt se në qershor Brukseli do të hapë negociatat për Shqipërinë. Ai tha se zgjedhjet lokale do të zhvillohen këtë qershor, ndërsa ato parlamentare në qershor 2021.
I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Balla e cilësdoi kreun e opozitës një huligan që sulmon institucionet qeveritare.
“Ta harrojë Saliu dhe i biri i tij, Lulzimi që mund ta kthejnë Shqipërinë në makthet e 1997. Në qershor hapen negociatat. Për ne është i rëndësishëm që KE të rikonfirmojë vlerësimin pozitiv. Me përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe shqyrtimit të gjetjeve të reja të komisionit, KE do të përcaktojë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë”, – tha ai. – Pavarësisht kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme politike përmes një qeverie teknike, Balla shprehet i vendosur se shumica do të përfundojë mandatin sikur e parashikon Kushtetuta deri në qershorin e 2021. “E diela e katërt e qershorit të 2021 i bie që të jenë zgjedhjet. Mund të rritet numri i deputetëve opozitarë? Numri i atyre që ende nuk u ka ardhur radha për vakancat është i madh”.
Balla dënoi më pas protestën e dhunshme të opozitës më 16 mars para sheshit tek Parlamenti. “Nuk kam pasur asnjë dyshim që sa më shumë do afrohen zgjedhjet aq më shumë do përpëlitet Luli, ka marrë edhe Monën me vete, më vjen keq për LSI-në (në kuptimin figurativ). Basha nuk ka asnjë dallim nga një huligan stadiumesh dhe për këta ka vetëm një qasje, ndëshkim. Koha kur mund të vriteshe në bulevard ka marrë fund”.
Ndërkohë, brenda të njëjtit emision, por pa u përballur me Ballën, ka qenë e ftuar edhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Ish-deputetja e LSI-së, ka thënë se i mirëkupton kritikat e ndërkombëtarëve kundër opozitës në lidhje me djegien e mandateve, por shprehet se është e zhgënjyer nga KE.
“Nuk mund ta kuptojnë ata situatën në Shqipëri. Pasi në një vend normal çdo kush do të drejtohej te drejtësia, por në Shqipëri nuk funksionon, ndaj edhe opozita është e detyruar që të marrë këto akte ekstreme që e ndihmojnë vendin, – tha Gjosha. – Ndaj i mirëkuptoj ndërkombëtarët. Protestës së opozitës nuk mund t’i rezistojnë as ndërkombëtarët, pasi edhe ata do të vijnë në mbështetje. I vetmi zhgënjim që kam është Komisioni Europian”.
Gjosha shpjegon se KE ka frikë për të ndërhyrë për shkak të një destabilizimi politik sipas saj të Shqipërisë. “Debati im me atë ka qenë stabilitet apo demokraci, të dyja janë të rëndësishme, por për një vend si Shqipëria demokracia duhet të fillojë për të pasur stabilitet. Ka shumë çështje që KE duhet t’i kërkojë me përpikmëri qeverisë për t’i plotësuar, më pas edhe dialogun. Por situata në rajon e bën pak të vështirë. Frika nga destabilizimi politik që mund të çonte në konflikte të brendshme dhe përtej kufijve është e madhe, ndaj edhe ata ruhen”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




