Lajme

Negociatat, Hahn takon Sorecan: Javë vendimtare, politika të bëhet bashkë

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, gjatë takimit të tij në Këshillin e Bashkimit Evropian, deklaron se është në pritje të Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Në një postim në “Twitter”, ai shkruan se është diskutuar për gjendjen e zbatimit të reformave kyçe dhe situatën politike aktuale në vend.

“Sërish në Bruksel, në Këshillin e Bashkimit Evropian për të diskutuar me Shtetet Anëtare në #COWEB gjendjen e zbatimit të reformave kyçe dhe situatën politike aktuale në Shqipëri. Në pritje të Raportit Vjetor të Komisionit Evropian dhe vendimit të qershorit nga Këshilli për hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka shkruar ambasadori në “Twitter”.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Soreca është takuar edhe me komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn, i cili ka bërë një postim në “Twitter”.

Hahn i ka bërë sërish apel klasës politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë në prag të vendimit për negociatat.

“Është mirë të flasësh me njeriun tonë, ambasadorin e BE në Shqipëri Luigi Soreca përpara raportit për zgjerimin e BE në pranverë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike në vend të punojnë së bashku për stabilitetin dhe reformat në këto javë vendimtare, në interes të qytetarëve të tyre”, shkruan ai.

Ndërkohë, në lidhje me situatën politike në vend, Soreca shpesh ka bërë apel që palët të ulen në dialog për një zgjidhje të përbashkët. Në deklaratat e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë ka argumentuar se djegia e mandateve të opozitës, duke shkaktuar një krizë, rrezikon çeljen e negociatave me BE në qershor.

Thuajse më pak se një vit më parë, vendet anëtare të BE ranë dakord për t’i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt çeljes së bisedimeve në qershor 2019. Në këtë muaj, vendet anëtare do të vlerësojnë, bazuar dhe në raportin e Komisionit Europian, përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por çelja e mundshme e bisedimeve me konferencën e parë ndërqeveritare në qershor 2019 dhe hapja e kapitujve të bisedimeve deri në fund të 2019-ës, do të duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë