Lajme

Protesta, Bardhi: Sulm kriminal nga policia. Balla: Dhunues!

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili tha se ndjen keqardhje për opozitën, ndërsa shtoi se policia, gjatë protestës u tregua profesionale.

Në një postim në “Twitter” Bardhi ka dënuar hedhjen e gazit lotsjellës nga policia, duke e cilësuar si “sulm kriminal”, ndërsa shton se “kushdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, do të marrë ndëshkimin e merituar”.

“Dënoj me forcë sulmin kriminal të Policisë së Shtetit me mjete të helmimit masiv ndaj qytetarëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve në protestë. Kushdo që ka urdhëruar dhe ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, do të marrë ndëshkimin e merituar!”, shkruan Bardhi.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka thënë se gjithnjë protestuesit e opozitës do të mbahen mend si dhunues.

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/2033335956967915/

Në një postim në “Facebook”, ku ka hedhur edhe një video, ku duket një qytetar duke shkulur një pllakë betoni dhe Balla shkruan se, sipas tij, shqiptarët dinë ta bëjnë diferencën se kush punon për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane dhe kush janë dhunuesit përsëritës të imazhit të Shqipërisë.

“Shqiptarët dinë ta bëjnë qartë diferencën. Kush punon për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes europiane dhe kush janë këta dhunues përsëritës të imazhit të Shqipërisë e që shquhen vetëm për të prishur gjithçka. Shqipëria ndërton me mund. Gjithmonë këta do të mbahen mend si dhunues. Shikojeni këtë video domethënëse se si shkatërrohet prona publike në hyrje të Kuvendit të shqiptarëve, në parkun që mban emrin e shqiptarit të madh “Fan Noli””, shkruan Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë