Bledar Hoti – Qeveria do të shmangë përmbaruesit në procesin e sekuestrimit të pasurive të krijuara nga krimi, si dhe në mbylljen e personave juridikë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Ministria e Drejtësisë ka hartuar projektligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Në draftin e qeverisë kërkohet ndryshimi i nenit 40, i cili parashikon që ekzekutimi i dënimit me sekuestrim kryhet nëpërmjet Shërbimit Përmbarimor.
“Vendimet penale që parashikojnë konfiskimin e mjeteve dhe përfitimeve të rrjedhura nga vepra penale, zbatohen nga organi përmbarimor kompetent, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm. Organi përmbarimor në ekzekutim të vendimit nuk kufizohet vetëm në objektet e sekuestruara, por në të gjithë objektet dhe përfitimet që përcaktohen shprehimisht në vendimin e gjykatës”, thuhet në nenin 40 të ligjit aktual. Por me propozimin e kërkohet të hiqet paragrafi i dytë, duke ia ngarkuar këtë detyrë organeve shtetërore si Policia dhe Prokuroria.
“Në paragrafin e parë fjalët “nga organi përmbarimor kompetent, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm” zëvendësohen me fjalët“drejtpërdrejt nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit”, thuhet në nenin 23 të draftit.
Në relacionin e qeverisë të siguruar nga Gazeta “Si” theksohet se janë eliminuar nga projekt-akti dispozita që bien ndesh me dispozita të rregulluara në mënyrë të detajuar në ligje të tjera dhe që vetëm shtonin konfuzionin dhe mund të shkaktonin pabarazi në trajtim.

“Janë rregulluar dispozitat në lidhje me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të dënuar me vendime penale, duke bërë efikas procedurat dhe duke shmangur tejzgjatjen e proceseve dhe duke rritur mundësinë për të realizuar me sukses sekuestrimin dhe konfiskimin e mjeteve me të cilat është kryer vepra penale por edhe sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të ndryshme të cilat janë objekt i vendimeve gjyqësore penale”, thuhet në relacion.

I njëjti ndryshim lidhet edhe me faktin shmangien e Përmbaruesve sa i përket dënimit të personave juridik, që drejtojnë firmat. Neni 47 parashikon që në rastet “kur gjykata ka vendosur masë penale për personat juridikë, prokurori i dërgon urdhrin e ekzekutimit organit përmbarimor të vendit ku ka qendrën personi juridik, i cili vepron sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile për ekzekutimin e detyrueshëm. Për vënien në ekzekutim të vendimit organi përmbarimor njofton organin financiar, ku është regjistruar personi juridik”.
“Kur gjykata ka vendosur mbarimin e personit juridik, prokurori i dërgon urdhrin e ekzekutimit: Për shoqëritë tregtare, Qëndrës Kombëtare të Biznesit e cila bën ç`rregjistrimin e saj; Për OJF-të, gjykatës që ka bërë regjistrimin e cila bën çregjistrimin e saj”. Ky është propozimi i ri që ndërmerret në këtë draft të ri.
Ndëshkimi për prokurorët
Prokurorët që nuk zbatojnë në kohë vendimet e Gjykatave kërcënohen me ndjekje penale. Ky është thelbi i ndryshimit të ligjit që po ndërmerr qeveria për të ndryshuar ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve Penale”, ku drafti është duke diskutuar përpara miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Në relacionin e projektligjit që disponohet nga Gazeta Si vlerësohet si shqetësues fakti zvarritja e zbatimit të këtyre vendimeve. Një aspekt tjetër pse është e rëndësishme ndërhyrja në këtë ligj, lidhet përsëri me rekomandimet e GJEDNJ për sa i përket afateve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Për ministrinë e Drejtësisë ky ndryshim ligjore ndërmerret për faktin se janë vërejtur disa problematik që janë hasur gjatë zbatimit në praktikë të ligjit aktual. “Vështirësi në procedurën që ndiqet për ekzekutimin e vendimeve penale; Vështirësi në bashkëpunimin e organeve të prokurorisë, policisë së shtetit, shërbimit të provës si dhe sistemit të burgjeve; Mosrespektim i afateve për fillimin dhe vazhdimin e procedurës së ekzekutimit, pasi gjykata nuk e dërgon vendimin në një kohë të arsyeshme, por edhe prokurori nuk aktivizohet vetë në një kohë sa më të shkurtër për të marrë vendimin dhe për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit; Problematike është ekzekutimi i masave mjekësore nëpër burgje; Problem është ekzekutimi i dënimit plotësues heqja e përgjegjësisë prindërore dhe Problematike janë mënyra e ekzekutimit të dënimeve për të mitur për shkak të miratimit të Kodit të drejtësisë penale për të Mitur”, thuhet në relacionin e qeverisë.
Për këtë qëllim me draftin e ri qeveri synon të saktësojnë afatet e ekzekutimit për të gjitha organet përbërëse të zinxhirit të ekzekutimit të vendimeve penale. “Për këtë arsye kemi parashikuar në mënyrë eksplicite edhe përgjegjësi penale administrative dhe/ose penale të prokurorit në rastet kur nuk ekzekuton vendimin në përputhje me përmbajtjen e këtij ligji. Është parë e nevojshme edhe ndërhyrja për rregullimin e dënimeve plotësuese dhe sidomos shtimi i një dispozite për mënyrën e ekzekutimit të dënimit të heqjes së përgjegjësisë prindërore”, thuhet në relacionin e qeverisë.
Kështu propozohet neni në fjalë që “Për vendimet që përmbajnë dënim me burgim dhe që nuk janë ankuar ose nuk është ushtruar rekurs, gjykata i dërgon prokurorit kopjen e vendimit të shkurtuar brenda 24 orëve nga e nesërmja e ditës që vendimi merr formë të prerë”. Për këtë prokurori vihet në dijeni me anë të një ekstrakti të vendimit nga ana e Gjykatës. Kështu sipas relacionit përcaktohet se dërgimi i vendimeve nga Gjykata në formë të shkurtuar te prokurori,me qëllim procedimin për ekzekutimin e vendimin pa pritur zbardhjen e vendimit.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, Ministria e Drejtësisë, Ministri përgjegjës për rendin publik si dhe Prokurori i Përgjithshëm ngarkohet të mbikëqyrin mbarëvajtjen e ekzekutimit të vendimeve. Monitorimi në nivel makro do të realizohet nga struktura përkatëse përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë Prokuroria e Përgjithshme si dhe Ministri përgjegjës për rendin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





